Dy orë para se të shkaktonte aksident, i dyshuari ishte gjobitur nga policia për tejkalim të shpejtësisë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin  që ndodhi sot rreth orës 8:00 në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Stanovc, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara gjashtë persona kanë kërkuar tretman mjekësor në QKUK.

Sipas raportit të Policisë nga Rajoni i Mitrovicës, nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes bëhet e ditur se në aksident trafiku ishin të përfshira tri vetura të cilat ishin në lëvizje, ndërsa dëme materiale kanë pësuar edhe dy vetura tjera të cilat ndodheshin të parkuara në një auto-sallon afër rrugës, transmeton Telegrafi.

“Nga hetimet e zhvilluara në vendin e ngjarjes, shkaktar i aksidentit dyshohet të jetë veprimi i ndërmarrë i pasigurt  për tejkalim i drejtuesit të automjetit Audi  A4, me ç’ rast përplaset me dy vetura tjera”.

“Vlen të potencohet se Njësia e Trafikut Rajonal në Mitrovicë,  dy orë më herët ndaj të dyshuarit S.V.,47 vjeçar, shkaktarit të aksidentit i kishte shqiptuar një gjobë për tejkalim të shpejtësisë”, thuhet në raportin e Policisë.

Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit  në trafikun rrugor, për kujdes  dhe vigjilencë të shtuar duke  respektuar të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore. /Telegrafi/