Dy raste të dyshuara për vetëvrasje të shtunën në Kosovë

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës janë raportuar dy raste të dyshuara të vetëvrasjes.

Rastet janë raportuar në Graçanicë dhe Ferizaj, të shtunën.

Rasti i parë ka ndodhur në Graçanicë, ku policia ka marrë informatën që një person është pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes, kanë dalë njësitë adekuate policore, ku kanë gjetur viktimën, i cili dyshohet se ka bërë vetëvrasje.

Gjithashtu, në vendin e ngjarjes njësitë policore kanë bërë të ditur se kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe një gëzhojë të cal-9mm, me të cilën dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

“Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, rasti i dytë i raportuar, ka ndodhur në Ferizaj, ku nga raporti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) thuhet se një person është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore e i cili më pas ka vdekur.

“Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin ditor të PK-së.