Dy vjet pa Fadil Vokrrin, më meritori për sukseset e futbollit të Kosovës

Sot bëhen dy vite tnga vdekja e legjendës shqiptare të futbollit, Fadil Vokrri.

Fadil Vokrri ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Fadil Vokrri kishte lindur me 23 korrik të vitit 1960 në fshatin Sfeçël të komunës së Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar”, i cili kishte një karrierë mjaft të bujshme.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri kishte arritur kulmin e karrierës se tij. Ai e kishte filluar karrierën si futbollist me KF Llapin e Podujevës dhe më vonë kishte kaluar tek KF Prishtin, ku kishte luajtur për një periudhë edhe me KF Partizanin e Beogradit, shkruan lajmi.net.

Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus kishte qenë i interesuar për Vokrrin dhe i kishte propozuar nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak legjenda e futbollit kosovar kishte luajtur për KF Partizanin e Beogradit.

Në atë kohë, Fadil Vokrrit iu kishte propozuar të luante edhe për Dinamon e Zagrebit. Ai kishte luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ku kishte shënuar 5 gola.

Vokrri kishte luajtur për një periudhë kohore për NIM, Francë. Në vitet 1990-1992, legjenda e futbollit kosovar kishte luajtur për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe kishte korrur shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai ishte vendosur me banim në Francë, ku ishte bërë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, legjenda e futbollit ishte kthyer në Kosovë dhe jetoi në Prishtinë.

Fadil Vokrri u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, federatë të cilën e formoi vet, më 16 shkurt 2008. Ai qëndroi aty për tri mandate me radhë.

Vokrri e drejtoi Federatën e Futbollit të Kosovës drejt sukseseve më të mëdha, ato të pranimit në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Legjenda e futbollit vendor punoi fortë për krijimin e një Kombëtare kompakte, e cila tash nën drejtimin e Bernard Challandes po i jep frytet e veta.

Një pjesë e madhe e këtij suksesi të ‘Dardanëve’, padyshim që faturohet te Fadil Vokrri, i cili vdiq më 9 qershor të vitit 2018 në moshën 57 vjeçare.

Sot të gjithë po e kujtojnë Fadilin, njeriun i cili bëri të pamundurën për futbollin kosovar, njeriu që i hapi dyert e klubeve kosovare në Evropë.

Sot dhe përgjithmonë do ta kujtojmë, Fadil Vokrrin!