Dyshime për manipulime me vota, Policia aksion në komunën e Kllokotit

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në komunën e Kllokotit, pas dyshimeve se kanë ndodhur keqpërdorime me vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, në bazë të kërkesës së Prokurorisë dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor. Ky operacion i cili është duke u realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërlidhet me procesin zgjedhor”, tha ai për Telegrafin.

Ndryshe, ditën e djeshme Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut, komunë kjo me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës, vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e një prej subjekteve politike boshnjake nga Mitrovica, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.