Dyshohet se lumi i ka bartur trupat e policëve në Maqedoni

Në vendin e ngjarjes në lumin Lepenc ku u zhdukën dy policë pas një aksidenti mesnatën e së shtunës ka mbërritur edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

Gashi tha se janë në kontakt edhe me autoritetet e Maqedonisë pasi rrjedha e lumit mund t’i ketë bartuar trupat e dy pjesëtarëve të policisë përtej kufirit.

Ndërsa, nga vendi ku po kërkohen dy policët e zhdukur mbrëmë në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit, drejtori i Policisë, Naim Rexha, ka thënë se ka mjaftueshëm persona që janë angazhuar në kërkim.

Edhe Agim Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Ferizajt,ka thënë për Telegrafin, se kërkimet kanë filluar dhe jemi në bashkëpunim së bashku me FSK-në për kërkimin e policëve.

“Sipas vëllimit të ujit të rrëmbyeshëm në Lepenc, ka gjasa që trupat të mund të janë bartur në territorin e Maqedonisë. Gjithashtu, ne jemi në kontakt me autoritetet maqedone lidhur me këtë”, tha Gashi.