E mira e dikujt, e keqja e një tjetri !!!

Një ditë, tek dijetari i madh i Irakut, Ebu Hanife, vajti një i ri i mirë dhe i ndershëm. Ai iu ankua për një hall që kishte, më saktë për faktin se donte të martohej por nuk kishte para.

Ebu Hanife, i cili e njihte të riun, e pyeti:”Mirë, por a nuk më thua, a ia ke vënë syrin ndonjë vajze që të pëlqen të martohesh me të?”
I riu iu përgjigj:”Po o imam. Është vajza e filanit, por ata janë të pasur kurse unë i varfër. E parandjej se edhe po ta kërkoj dorën e saj, do të më refuzojnë sapo të marrin vesh se jam nevojtar.”

Ebu Hanifes i erdhi keq për atë të ri, i cili përveç ndershmërisë, ishte dhe njeri i ditur dhe i devotshëm. Duke dashur ta ndihmojë të martohet me atë që i do zemra, i bëri një pyetje të çuditshme:”A do e shisje ndonjë nga gjymtyrët e tua për dymbëdhjetë mijë dërhemë argjendi?”
I riu, shtangu nga kjo pyetje dhe u përgjigj:”As që bëhet fjalë!”

Pastaj Ebu Hanife i tha:”Mirë, shko dhe kërkoje dorën e vajzës që të pëlqen dhe u thuaj familjarëve që të vijnë dhe të më pyesin mua për ty.”

I riu vajti dhe kërkoi dorën e vajzës dhe me tu përmendur emrin e Ebu Hanifes, ata u qetësuan dhe vajtën tek ai ta pyesin për personin vetë dhe gjendjen e tij ekonomike, nëse ishte i aftë ta mbajë vajzën e tyre apo jo.

Ebu Hanife u tha:”E njoh si djalë të ri të ndershëm dhe të devotshëm, por nuk e di gjendjen e tij ekonomike, përveç faktit që një ditë, në prezencën time iu ofrua të shesë diçka për dymbëdhjetë mijë dërhemë argjendi dhe ai refuzoi.”
Familjarët e vajzës thanë:”Atëherë kjo tregon se ai është të gjendje të mirë ekonomike!” Kështu, pranuan dhe e martuan vajzën me të riun në fjalë.

Pasi kishin kaluar muaj nga kjo ngjarje, një ditë, një vajzë e re i kërkoi leje Ebu Hanifes dhe i tha se donte ta pyesë për një çështje të rëndëdsishme. Ebu Hanife e pranoi dhe u veçua paksa nga njerëzit e tjerë. Kur mbetën vetëm ata të dy, vajza hoqi perçen me të cilën mbulonte fytyrën dhe një fytyrë si hëna e plotë u shfaq para Ebu Hanifes.

Menjëherë, ai i tha:”Moj motër, mbuloje fytyrën!”
Ajo i tha:”Jo, më shikoni mirë dhe më dëgjoni me kujdes, sepse jam në një hall nga i cili nuk më nxjerr kush veç jush!”
I zënë ngushtë, Ebu Hanife i tha:”Mirë, flisni tu dëgjoj!”
Vajza i tha:”Unë jam vajza e shitësit që gjendet në krye të rrugës. Jam e re, vitet kalojnë dhe si çdo vajzë dua të martohem dhe të krijoj familje. Pengesa e vetme është babai, i cili refuzon që unë të martohem. Kushdo që vjen dhe kërkon dorën time, u thotë:”Ime bijë është e verbër, sakate, shurdhmemece dhe pa flokë në kokë! Duke ditur dijet dhe prestigjin tuaj, kam ardhur të më bëni derman. Nëse më pranoni kështu siç jam, unë jam gati të martohem dhe me ju!”

Ebu Hanifeja uli kokën mendueshëm dhe e pyeti:”Pranoni të martoheni me mua?!”
Vajza u ul në gjunjë dhe i puthi këmbët duke i thënë:”Po, veç të kem dhe unë familjen time sepse po më ikën mosha! E kush është ajo vajzë që nuk do të dëshironte të martohej me një burrë të ditur dhe të famshëm si ju!”
Sa nga keqardhja dhe sa i turbulluar nga bukuria e asaj vajze, Ebu Hanife i premtoi se do të shkojë dhe të kërkojë dorën e saj nga i ati, i cili kur të shihte atë në derë, nuk do e refuzonte.

Të nesërmen, Ebu Hanife vajti tek shtëpia e shitësit në krye të rrugës dhe pasi u përshëndetën, i tregoi shkakun e vizitës. “Kam ardhur të kërkoj dorën e vajzës tuaj” i tha.
Mandej, nxorri dhe njëqind dinarë floriri dhe duke ia zgjatur të atit, i tha:”Pesëdhjetë merri si dhuratë për vajzën, kurse pesëdhjetë mbaji për vete!”

Si zakonisht, i ati i tha:”Më ndje o i dituri Ebu Hanife, por ime bijë nuk bën për ju. Ime bijë është e verbër, sakate, shurdhmemece dhe pa flokë në kokë!”
Ebu Hanife i tha:”Lëre këtë muhabet me mua se e di si është, por më thuaj: Je dakord apo jo!”

I zënë ngushtë dhe duke parë insistimin e Ebu Hanifes, i ati i tha:”Nëse e dini dhe jeni i bindur për këtë që po bëni, dakord. Të trashëgoheni!” Pastaj u kërkoi njerëzve që ti sjellën vajzën dhe ajo erdhi. Ishte një vajzë e verbër, sakate, shurdhmemece dhe pa flokë në kokë, ashtu siç thoshte i ati.
Ebu Hanife shtangu në vend dhe nuk dinte ç’të thoshte.
I ati i tha:”Kjo është vajza ime e vetme o Ebu Hanife. Pasha Zotin nuk kemi vajzë tjetër përveç saj!”
Ebu Hanife e kuptoi se kishte rënë pre e një kurthi nga ana e vajzës disa muaj më parë. Ai u ngrit në këmbë dhe u tha:”Dëgjoni! I mbani njëqind dinarët dhe bashkë me ta dhe vajzën tuaj se nuk e dua!” Pastaj doli jashtë pa ditur nga hedh këmbët.
Një muaj rresht Ebu Hanife ishte si i hutuar për çfarë i kishte ndodhur. Një ditë, i erdhi një vajzë e mbuluar, e cila e tërhoqi si mënjanë dhe i zbuloi fytyrën. Ishte e njëjta vajzë e cila i ishte ankuar për të atin që refuzonte ta martojë.

Menjëherë Ebu Hanife e pyeti:”Çfarë ishte ajo që më bëre dhe më turpërove me njerëzit moj?! Pash Zotin çfarë të kam bërë që ma hodhe ashtu?!”
Vajza iu përgjigj:”Po unë çfarë të bëra që më martove me një varfanjak? Prindërit nuk më martuan me të, veçse pasi të pyetën dhe dëshmove për mirë për tim shoq!”

Ndonjëherë, duke dashur ti bëjmë mirë dikujt, harrojmë se i hyjmë në hak dikujt tjetër.

Nga: Elmaz Fida