Të qeshurit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në shëndetin e zemrës, sugjeron një studim i ri shkencor që tregoi se emocionet pozitive mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut në trup, sipas “Scientific American”.
Sipas kërkimit të realizuar nga shkencëtarët e Shkollës së Mjekësisë në Universitetin Maryland, ndjekja e filmave komikë dhe të qeshurit rrisin rrjedhjen në enët e gjakut, ndërsa skenat dramatike ose stresuese mund ta ulin atë.
Në studim morën pjesë 20 vullnetarë të rinj e të shëndetshëm, të cilët panë fragmente filmash që zgjatën nga 15 deri në 30 minuta. Disa ishin komedi, të tjerët filma dramatikë.
Shkencëtarët përdorën ultratinguj për të matur rrjedhjen e gjakut në arterien brakiale, një enë gjaku që shtrihet nga shpatulla drejt bërrylit e shpesh përdoret për të vlerësuar shëndetin e sistemit kardiovaskular.
Rezultatet treguan se rrjedhja e gjakut u ul në 14 nga 20 pjesëmarrësit kur panë skena dramatike, përfshirë sekuencat e para të filmit “Shpëtoni ushtarin Ryan”, të cilat shkaktojnë stres emocional.
Në të kundërt, qarkullimi i gjakut u rrit në 19 nga 20 vullnetarët kur panë skena humoristike nga komedi si, “There’s Something About Mary”.
Sipas studiuesve, diferenca në reagimin e enëve të gjakut ishte më shumë se 50%, një rezultat që tregon se emocionet pozitive mund të ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e sistemit kardiovaskular.
Ekspertët theksojnë se emocionet negative si stresi, zemërimi apo ankthi mund të dëmtojnë mekanizmat biologjike që ndihmojnë zgjerimin e enëve të gjakut.
Në të kundërt, të qeshurit e humori i mirë mund të përmirësojnë funksionin e endotelit, shtresa e brendshme e enëve të gjakut që rregullon qarkullimin e gjakut.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se edhe pse e qeshura mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin e zemrës, nuk mund të zëvendësojë aktivitetin fizik të rregullt apo stilin e jetesës së shëndetshme.








