Ballina Lajmet Rajon dhe Botë E veshur për shkollë, e kthyer në qefin…

E veshur për shkollë, e kthyer në qefin…

Ritaj Abdulrahman Rihan

Cili ishte faji i kësaj vogëlusheje palestineze që u vra teksa mësonte në shkollën e rrënuar nga bombat?

Nëntëvjeçarja Ritaj Abdulrahman Rihan po zgjidhte një problem matematike në një klasë në Gaza, kur forcat izraelite hapën zjarr mbi shkollën, duke i lënë përgjigjet e papërfunduara dhe faqet e fletores të njollosura me gjak.

Ajo po praktikonte zbritjen e numrave katërshifrorë në Beit Lahia, në veri të Gazës. Mësuesja u kishte dhënë nxënësve një ushtrim, por hapësira për përgjigjen e Ritajt mbeti bosh. Vajza u qëllua në kokë nga forcat izraelite të stacionuara aty pranë, ndërsa ndiqte mësimin me rreth 40 nxënës të tjerë në shkollën “Abu Ubaida Bin al-Jarrah”.

Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por u shpall e vdekur para se prindërit të mund t’i thoshinin lamtumirë. “Çdo ditë e çoja vajzën në shkollë që të mësonte si çdo fëmijë tjetër. Një orë pasi e lashë, mora lajmin se ishte vrarë. Ishte një tronditje që nuk përshkruhet me fjalë”- tha babai i saj, Abdulrahman, për Middle East Eye.

Familja jetonte në një tendë pasi shtëpia e tyre ishte shkatërruar, por ata këmbëngulën që Ritaj, fëmija i tyre i parë, të arsimohej. Për dy vite ajo nuk kishte ndjekur mësimin për shkak të luftës dhe ky ishte viti i parë që ishte kthyer në bankat e shkollës pas armëpushimit të tetorit.

Edhe pse mësimet mbaheshin në ndërtesa të dëmtuara, prindërit mendonin se ishte më mirë sesa qëndrimi pa shkollë. Shkolla ndodhet në një zonë që konsiderohej relativisht e sigurt, rreth 2 km larg “vijës së verdhë”, një kufi i vendosur në mënyrë të njëanshme nga ushtria izraelite.

Megjithatë, snajperët dhe artileria izraelite hapin rregullisht zjarr mbi lagjet brenda kësaj zone. Nëna e saj, Ola, tregon e dërrmuar emocionalisht: “E kisha veshur dhe ia kisha lidhur flokët në mëngjes. Ma kthyen të vdekur, me fytyrën e përgjakurS’mund ta besoj që ka vdekur”.

Bashkë me trupin, Olës i dhanë edhe fletoren e vajzës. “Kjo nuk është bojë; është gjaku i vajzës sime. Kjo fletore është prova e krimeve kundër fëmijëve tanë”.

Që nga tetori i vitit 2025, forcat izraelite kanë vrarë dhe plagosur dhjetëra palestinezë pranë kësaj vije, në shkelje të armëpushimit. Kufiri ushtarak po zgjerohet çdo muaj, duke gllabëruar tokë dhe duke rrafshuar shtëpitë ku banorët ishin lejuar të ktheheshin.

Për familjen Rihan, kjo ishte humbja e radhës pas vdekjes së shumë të afërmve të tjerë. Ola tregoi se i kishin blerë Ritajt një fustan të ri për dasmën e xhaxhait javën tjetër.

Ishte shumë e lumtur për të. Por nuk mundi kurrë ta vishte. Sot u kthye e mbuluar me qefin. Pushtuesit dëshirojnë të ndalojnë arsimin. Ata nuk duan të rritet një brez i arsimuar palestinezësh”- thotë gruaja. /tesheshi