E xhumaja – një ibadet që disa e kryejnë me trup e jo edhe me shpirt

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve. Le të dërgojmë salavate dhe selame mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, të dashurin dhe të zgjedhurin e Tij, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër të dashur, e këshilloj veten time dhe juve që të kemi besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.

Vëllezër të dashur, sot do të flasim për diçka që të gjithë e dimë, por për ndonjë arsye, disa nga ne nuk e respektojnë. Do të flasim për xhumanë. Jo për një ditë të zakonshme, por për ditën më të zgjedhur të javës, ditën që Allahu e ka dalluar dhe e ka lartësuar mbi të gjitha ditët tjera, ditën që do të duhej të na bashkonte të gjithëve në xhami, ne që themi se jemi muslimanë, në mënyrë që, të mbledhur, të bashkuar, t’i dëgjojmë fjalët dhe mesazhet e Allahut.

Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumu’a, 9).

Vëllezër të dashur, siç po shihni, xhumaja nuk është çështje zgjedhjeje personale, e as zakon shoqëror. Ajo është ibadet. Ajo është obligim. Madje, ndër obligimet më të mëdha. Prandaj, kush e lë xhumanë me vetëdije dhe pa arsye të justifikuar, le ta dijë se po luan me themelet e fesë së tij, sepse në një hadith thuhet: “Kush e lë xhumanë tri herë radhazi, nga pakujdesia, Allahu ia vulos zemrën.”

Vulosja e zemrës do të thotë, se atyre do t’u flitet, por ata nuk do të dëgjojnë; do t’u jepet këshillë, por ata nuk do ta pranojnë dhe do t’u përmendet emri i Allahut, por ata nuk do të ndiejnë asgjë.

Ky është ndëshkimi për ata që sillen me xhumanë si diçka që varet nga disponimi i tyre: vijnë kur nuk kanë punë tjetër më të “rëndësishme” sipas mendimit të tyre, e mungojnë sa herë që mendojnë se kanë diçka më me prioritet. E atëherë, imagjinoni se sa e rëndë është gjendja e atyre që kurrë nuk vijnë në xhuma!

Allahu na udhëzoftë neve dhe ata në rrugën e drejtë.

Xhumaja, si një nga urdhëresat më të mëdha të Allahut për ne, sjell me vete edhe shpërblime të mëdha, por vetëm për ata që i respektojnë rregullat dhe dispozitat e saj.

Nga rregullat e xhumasë është që para se të nisemi për në xhami, të pastrohemi, të lahemi dhe të parfumosemi, e jo të vijmë të papastër e me erë të rëndë, siç ndodh me disa prej nesh, saqë të tjerët largohen prej tyre apo detyrohen ta ndërrrojnë rreshtin (safin).

Nga rregullat e xhumasë është që kur të marrim abdes në shtëpi dhe nisimi rrugës për në xhami, të jemi të vetëdijshëm se ku po shkojmë dhe për çfarë po shkojmë; të mos e fusim hundën në punë që nuk na takojnë; të mos flasim kot, e veçanërisht kur hyjmë në xhami. Sepse xhamia, para faljes së xhumasë, nuk është vend muhabeti, as zhurme, as bisedash të kota, por është vend ku përgatitemi për ta fituar mëshirën, shpërblimin dhe kënaqësinë e Allahut.

Nga rregullat e xhumasë është që kur imami ngjitet në minber dhe nis hutben – dhe hutbe është çdo fjalë që ai thotë, qofshin në arabisht apo në gjuhën tonë – atëherë duhet të dëgjojmë me vëmendje, pa marrë parasysh nëse na pëlqen apo jo. Sepse i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kush i thotë tjetrit: ‘Hesht!’ gjatë hutbes së xhumasë, ka gabuar.” Pra, është gjynah të ndërpresësh dikë, edhe kur i thua “hesht!”, e imagjinoni se çfarë gjynahu bëjnë ata që bisedojnë gjatë hutbes, nga java në javë!

Vëllezër të dashur, hutbeja nuk është si televizori që mund ta kesh pas shpine, derisa merresh me gjëra të tjera. Ajo është momenti kur shpallet fjala e Allahut, mesazhi i Tij, përmes fjalëve të atij që qëndron në minber. E kush nuk dëgjon në ato çaste, ai nuk është në ibadet, ai është vetëm fizikisht në xhami, por me shpirt diku tjetër. Dhe kjo nuk është më thjesht vetëm pakujdesi, por është edhe mungesë respekti. Dhe, edhe kjo i ka pasojat e saj. Sepse, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (savs): “Kush luan me guraleca gjatë hutbes, e ka humbur shpërblimin.” Ne sot në xhami nuk kemi guraleca, por kemi tespih dhe telefona. Të moshuarit luajnë me tespih, kurse të rinjtë me telefona. Por asnjëri nuk është i pranueshëm. Sepse hutbeja nuk është momenti për t’i numëruar tespihet, por për të dëgjuar. Nuk është koha për të qenë të lidhur në “Facebook” apo “Instagram”, por për të pasur lidhje me mesazhin e Allahut që përcillet përmes hutbes.

Të gjitha këto mund të përmblidhen në një fjali: Kush nuk e respekton shenjtërinë e xhumasë dhe hutbes, ai do të privohet nga çdo e mirë që sjell xhumaja, dhe le t’ia bartë atij fytyra dhe nderi!

Mbase dikujt nga ju këto fjalë nuk do t’i pëlqejnë. Mbase, ndërkohë që po flas, ndokush po mërzitet apo po komenton përbrenda vetes. Por kjo nuk më shqetëson. Sepse detyra ime nuk është të ju komplimentoj, por t’jua them të vërtetën, t’ju këshilloj, t’ju mësoj, t’jua tërheq vërejtjen për ato që i shoh. Sepse unë jam përgjegjës para Allahut, dhe dua të kem justifikim në Ditën kur do të japim llogari.

Prandaj, vëllezër të dashur, po ia kujtoj edhe vetes time edhe juve: që të mos vijmë në xhuma vetëm për sy e faqe, por për hir të vetes tonë; që të mos e dëgjojmë hutben për shkak të imamit, por për hir të Allahut; që të mos heshtim vetëm sepse duhet, por sepse ajo na nevojitet.

Është koha që t’i pastrojmë safat tona nga pakujdesia, hutbet tona nga zhurma dhe fjalët e kota, dhe zemrat tona nga shpërqendrimi.

Le të bëhet sërish xhumaja ajo që është në të vërtetë: moment takimi me Allahun, moment i zbritjes së mëshirës dhe begatisë së Allahut.

O Zoti ynë, na i përmirëso qëllimet dhe veprat tona. Na bëj neve nga ata që vijnë në xhami me respekt, që dëgjojnë hutben me vëmendje dhe që jetojnë sipas asaj që dëgjojnë! Mos na lër në pakujdesi! Mos lejo që zemrat tona të ngurtësohen! Udhëzoje popullin tonë, familjet tona dhe fëmijët tanë! Na dhuro iman që forcohet, durim që mban peshë dhe xhuma që na pastron! Amin!

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)