EBA mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Ministrja Gërvalla priti në takim ambasadoren e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Alshamsi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Alshamsi.

Sipas komunikatës ministrore, Gërvalla falënderoi ambasadoren Alshamsi për kontributin dhe ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe dhënë në faza të ndryshme të shtetndërtimit, duke qenë shteti i parë arab që njohu pavarësinë e Kosovës.

Ministrja e vlerësoi në veçanti mbështetjen e dhënë në sektorët si ekonomia e shëndetësia. Me këtë rast, u theksua nevoja që të forcohet dhe thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve, sidomos në rrafshin ekonomik.

Nga ana e saj, ambasadorja Alshamsi rikonfirmoi mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe karshi anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.