Edhe një ish-ushtar i UÇK-së arrestohet nga Specialja

Specialja ka arrestuar edhe një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga Dhomat e Specializuara, shkruan lajmi.net.

“Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhet në komunikatë.

Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme.Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.