Edi Rama nis sot turin dyditor në pesë kryeqytetet ballkanike për Procesin e Berlinit, zbulon agjendën

Kryeministri Edi Rama nis sot turin ballkanik dyditor për Procesin e Berlinit, ku do zhvillojë takime në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka treguar agjendën dyditore, ku turin do e nisë me Maqedoninë e Veriut dhe më pas do shkojë në Kosovë, aty do kalojë dhe natën. Ditën e premte ai do niset drejt Malit të Zi, Serbisë dhe Sarajevës.

Rama do kryejë takime me krerët e shteteve në kuadër të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë.

Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi.

Në këtë mënyrë ai lajmëroi fundin e nismës Open Ballkan në të cilën aktivisht ishin anëtarë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe që u pranua nga Mali i Zi, por jo nga Bosnja dhe as nga Kosova.

Ndërkohë samiti i procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti dhe nga ky samit 5 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të larta. /tch