Ballina Artikuj Edukata e lutjes

Edukata e lutjes

Allahu thotë në Kuran:

“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit, kur lutësi më lutet. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Time dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”.

Të dashur fëmijë!

Lutja është adhurim.

Lutja është përulësi ndaj Allahut.

Lutja është përgjërim.

Lutja është arma më e fortë e besimtarit.

Lutja kthen mbrapsht caktimin e Allahut.

Dialog:

Samiri: Babi, a është e vërtetë, se një peshk i madh ka gëlltitur një profet?

Babai: Po është e vërtetë.

Samiri: Cili është ai Profet?

Babai: Junusi (a.s)

Samiri: Çfarë ndodhi me Junusin (a.s), kur ishte në barkun e peshkut?

Babai: Junusi u lut me këto fjalë: “La ilahe il – la ente subhaneke in ni kuntu minedh dhalimin”

Samiri: Çfarë do të thotë kjo lutje?

Babai: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje, i Lartësuar qofsh, unë i bëra padrejtësi vetes time”

Samiri: Po pastaj, çfarë ndodhi me Junusin (a.s)?

Babai: Allahu i dha urdhër peshkut, që ta nxirrte Junusin (a.s) në breg dhe ai shpëtoi.

Samiri: Cili ishte shkaku, që Allahu e shpëtoi Junusin (a.s) nga barku i peshkut?

Babai: Lutja me të cilën ai (a.s) iu drejtua Allahut.

Samiri: Sa mirë. Atëherë edhe unë do t’i lutem Allahut me këtë lutje, kur të jem në vështirësi.

Ja si e fillon Ahmedi lutjen:

“O Zot të lutem nëpërmjet emrave të Tu të bukur Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për Profetin Muhamed. O Zot më jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër”

Tregim:

Njëherë, tre shokë u nisën në një udhëtim dhe i zuri nata rrugës. Ata vendosën të flinin brenda një shpelle.

Pasi u futën brenda, papritur ra një gur i madh, i cili e bllokoi hyrjen e shpellës.

Shokët vendosën t’i luteshin Allahut nëpërmjet një pune të mirë që kishin bërë.

I pari kishte respektuar prindërit. I dyti ishte larguar nga vesi i keq i imoralitetit. I treti ia kishte dhënë hakun punëtorit të tij. Kështu Allahu i shpëtoi ata, për shkak të këtyre veprave të mira, që kishin bërë.

Omeri lutet me këto fjalë:

O Zot më udhëzo në rrugën e drejtë!

O Zot ma forco besimin!

O Zot më bëj prej pasuesve të rrugës së Profetit (a.s)!

O Zot pranoji adhurimet e mia!

O Zot më jep suksese në shkollë!

O Zot lehtëso dhe mos vështirëso!

O Zot më fal mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët!

O Zot më bëj prej banorëve të Xhenetit!

O Zot më ruaj nga Zjarri i Xhehenemit!

Dialog:

Aliu: Mami, Jusra është mërzitur me mua.

Mami: Jusra!

Jusra: Urdhëro mami!

Mami: Përse je mërzitur me Aliun?

Jusra: Unë e dua Aliun, por…

Mami: Por çfarë?

Jusra: Ai çdo ditë më kërkon gjëra dhe unë jam mërzitur shumë prej tij.

Mami: Ali!

Aliu: Urdhëro mami!

Mami: Mësoje njëherë e mirë, se kur ti kërkon çdo ditë prej njerëzve nga një gjë, vjen një ditë që ata mërziten me ty, ndërsa kur i lutesh Allahut, Ai asnjëherë nuk mërzitet me ty, sado që t’i lutesh Atij.

Aliu: Faleminderit mami. Këtë mësim nuk kam për ta harruar kurrë.

Momentet më të mira për lutje janë:

Kur je në sexhde

Midis ezanit dhe ikametit

Në pjesën e fundit të natës

Të Xhumanë

Gjatë Ramazanit, veçanërisht në natën e Kadrit

Gjatë leximit të Kuranit dhe pasi e përfundon leximin e gjithë Kuranit

Kur bie shi

Para pirjes së ujit të Zemzemit

Në orën e edukatës islame, Jashari mësoi se:

Ai duhet t’i lutet vetëm Allahut dhe askujt tjetër.

Ai duhet të jetë këmbëngulës në lutje.

Ai duhet ta përjetojë me gjithë shpirt lutjen.

Ai duhet t’i ngrejë duart gjatë lutjes.

Ai duhet ta ulë zërin, kur lutet.

Ai duhet të thotë “Amin” në fund të lutjes.

Të dashur fëmijë!

Profeti (a.s) ka treguar për një njeri, i cili i ishte lutur Allahut, por Ai nuk i ishte përgjigjur lutjes së tij. Arsyeja: Ky person ishte ushqyer, kishte pirë dhe ishte veshur me haram.

Këta fëmijë kanë vepruar gabim:

Ahmedi lutet vetëm për veten e tij.

Jurgeni lutet në teqe.

Ismeti nuk beson, se Allahu do t’i përgjigjet lutjes së tij.

Mustafai mallkon të tjerët, kur lutet.

Ismaili i thotë Amirit: “Vdeksh”!

Daudi e ngre zërin, kur lutet.

Saimiri nuk i ngre duart, kur lutet.

Shuajbi nuk lutet asnjëherë.

Edukata ime gjatë lutjes:

Unë i lutem vetëm Allahut.

Unë jam i bindur, se Allahu do t’i përgjigjet lutjeve të mia.

Unë drejtohem nga Kibla, kur lutem.

Unë jam me abdes, kur lutem.

Unë e ul zërin, kur lutem.

Unë lutem gjithmonë.

Unë lutem me përgjërim dhe shpresë.

Autor: Elton Harxhi