Egjipt, vriten disa sulmues të xhamisë në Sinai

KAJRO (AA) – Një numër sulmuesish të përfshirë në sulmin vdekjeprurës me bombë në një xhami në Gadishullin e Sinait në Egjipt janë vrarë, tha zëdhënësi i ushtrisë egjiptiane.

Të paktën 235 persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur sulmuesit me bomba sulmuan një xhami në qytetin Bir al-Abed në veri të Sinait dhe më pas hapën zjarr mbi besimtarët që kishin shkuar për të falur namazin e xhumasë.

Në një deklaratë, zëdhënësi i ushtrisë Tamer Rifai tha se avionët luftarak kishin ndjekur një numër militantësh pas sulmit.

“Një numër i automjeteve të përfshira në sulmin vdekjeprurës terrorist u vërejtën dhe u shkatërruan ndërsa ata që ishin brenda tyre u vranë”, tha zëdhënësi të shtunën.

Ai tha se ushtria egjiptiane ka sulmuar një numër të “bazave terroriste” në zonë.

“Forcat e zbatimit të ligjit, në bashkëpunim me forcat ajrore, janë duke kërkuar baza të tjera të terroristëve”, shtoi zëdhënësi.

Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin më vdekjeprurës në historinë moderne.

Autoritetet egjiptiane kanë shpallur tre ditë zie, ndërsa presidenti Abdel Fattah al-Sisi u zotua për një reagim të ashpër ndaj sulmit vdekjeprurës.

Gadishulli i Sinait ka mbetur zonë pikante që nga mesi i vitit 2013, kur ushtria përmbysi nga pushteti dhe burgosi ​​me anë të grusht shtetit ushtarak Mohamed Morsin, presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike.