Ekrem Hyseni zgjedhet kryetar i LDK-së në Podujevë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur mbrëmë një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor në Podujevë, ku ka zgjedhur kryetar të ri të kësaj dege, Ekrem Hysenin, i cili në zgjedhjet lokale ishte kandidat i kësaj partie për kryetar të kësaj komune.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar vetë Hyseni, i cili ka thënë se Kuvendi ka rezultuar i suksesshëm dhe me një kulturë të lartë politike.

“Mbrëmë kemi mbajtur një Kuvend zgjedhor, ku ka pasur pjesëmarrës një numër të madh të delegatëve, dhe në mënyrë unanime unë jam zgjedhur kryesues i degës së LDK-së në Podujevë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se përveç tij, nuk ka pasur emra të tjerë të propozuar për këtë pozitë të rëndësishme të partisë.