Emigranti nga Kameruni paraqet Greqinë në Gjykatën Evropiane pasi e lanë të vdesë në det

Një emigrant nga Kameruni, i cili u la të vdesë në Detin Egje nga elemente greke, po kërkon drejtësi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), raporton Anadolu Agency (AA).

18-vjeçari Ibrahim Obbo kërkon një kompensim prej 100 mijë euro për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe shqetësimin emocional që duhej të duronte derisa dorëzoi kërkesën e tij në GJEDNJ më 26 nëntor.

Sipas dëshmisë së Obbo-s për forcat turke të sigurisë, më 14 shtator ai së bashku me 35 emigrantë të tjerë të parregullt lundroi në ishullin Samos të Greqisë me një gomonë. Pasi zbarkuan në ishull, forcat greke fillimisht qëlluan me të shtëna paralajmëruese dhe më pas i kapën.

Obbo dhe dy miqtë e tij, të cilët fillimisht ikën nga forcat greke, u kapën të nesërmen.

Ata thuhet se u futën në një varkë dhe më pas u hodhën në det pa jelek shpëtimi pasi u rrahën.

Obbo tha se ia doli duke notuar në rrethin Kuşadası të provincës Aydin të Turqisë, ndërsa miqtë e tij humbën jetën.

Pasi ndau historinë e tij me forcat turke të sigurisë, ai u ndihmua nga një organizatë joqeveritare turke që i ofroi ndihmë ligjore dhe avokatë në provincën e Izmirit.

Duke folur për AA, Esengül Kıran, një nga avokatët e Obbo-s, theksoi se gjendja psikologjike e klientit të tij ishte e tmerrshme kur u takuan, duke e përshkruar incidentin si “tentativë për vrasje”.

Avokati tjetër, Mehmet Arslan, tha se Obbo ishte i plagosur fizikisht dhe i traumatizuar për shkak të asaj që ka kaluar.

Turqia dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar në mënyrë të përsëritur praktikën e paligjshme të Greqisë për të shtyrë azilkërkuesit, duke theksuar se ajo shkel vlerat humanitare dhe ligjin ndërkombëtar duke rrezikuar jetën e emigrantëve, përfshirë gratë dhe fëmijët. /aa