Ballina Artikuj Emrat e engjëjve

Emrat e engjëjve

Kushdo që e do dikë, dëshiron të dijë gjithçka rreth tij; përpiqet të mbledhë çdo lajm për të, që të njohë emrin dhe përshkrimin e tij, moralin dhe natyrën, të kuptojë funksionin dhe veprën e tij, si dhe të dijë çfarë e do dhe çfarë e urren. Zemrat e besimtarëve janë të mbushura me dashuri për engjëjt fisnikë, të cilët e kanë merituar me të drejtë dashurinë e besimtarëve për ta, për shkak të përkushtimit të tyre të plotë në adhurim dhe bindjes së përsosur ndaj urdhrave të Mbretit të Mbretërve, të Lartësuarit.

Për shkak të rëndësisë së kësaj teme, dëshirojmë t’i afrohemi më shumë botës së engjëjve, për t’u njohur me emrat e tyre, emra që ata nuk ia kanë vënë vetes, por me të cilët i ka emërtuar vetë Allahu i Lartësuar. Nëse njerëzit garojnë që fëmijët e tyre t’i çojnë te fisnikët dhe paria për t’ua vënë emrin me dorën e tyre, si mund të jetë gjendja kur këtë e merr përsipër vetë Krijuesi dhe Dhuruesi i ekzistencës së tyre? Dhe meqë emrat janë enë të bartësve të tyre, nga kjo kuptojmë pastërtinë e esencës engjëllore.

Kur njeriu i drejton shikimin e tij tek tekstet e Kuranit dhe Sunetit, vëren se emrat e engjëjve fisnikë janë dy lloje: emra të përgjithshëm, që u atribuohen engjëjve në mënyrë të përgjithshme ose grupeve prej tyre, dhe emra të përveçëm, që janë përmendur shprehimisht për engjëj të caktuar, me të cilët ata dallohen nga të tjerët. Në këtë trajtesë të shkurtër, do të përpiqemi të zbulojmë emrat më të njohur të përgjithshëm, të cilët vërtetohet se u janë atribuar engjëjve në tekstet e shpalljes.

Së pari: Engjëjt e përmendur me emra të përgjithshëm:

1 – Melaike (melekët)

Është shumës, ndërsa njëjësi i saj është “melek”. Kjo flaë rrjedh nga “el-uluk”, që do të thotë mesazh apo porosi. Ka thënë Lebidi:

“Një djalosh që e dërgoi nëna e tij me një porosi, dhe ne ia dhamë atë që kërkoi.” Shprehja “me një porosi” do të thotë: me mesazh.

Është thënë gjithashtu se “melaike” është shumës i “mel’ek”, në origjinë, pastaj hemza është hequr për shkak të përdorimit të shpeshtë, dhe është thënë “melek”. Ata u quajtën “engjëj”, sepse bartin dhe përcjellin mesazhet e Allahut të Madhëruar te profetët e Tij (a.s). Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu zgjedh nga engjëjt (melaiket) të dërguar dhe nga njerëzit; me të vërtetë Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.”[1] Dhe në një ajet tjetër ka thënë: “Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të qiejve dhe tokës, që i ka bërë engjëjt (melaiket) të dërguar.”[2]

2 – Melek (engjëll)

Me këtë emërtim synohet xhinsi i engjëjve, dhe nuk është njëjës i fjalës “melaike”. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe engjëlli (meleku) do të jetë në anët e tij.”[3]

3 – El Meleul A’ala (Këshilli i lartë)

Ky emër tregon madhështinë e pozitës, fisnikërinë e gradës dhe lartësinë e vendit të engjëjve fisnikë. Fjala “melë” nënkupton parinë dhe fisnikët e njerëzve, sepse ata janë të mbushur me bujari, nder dhe dinjitet. Përveç kësaj, ky emër fisnik lidhet edhe me lartësinë e pozitës hapësinore ku ndodhen ata, pasi janë në këshillin e lartë të mbretërisë qiellore.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk mund të dëgjojnë këshillin e lartë (engjëjt)…”[4]dhe në një ajet tjetër i Lartësuari thotë: “Unë nuk kisha dijeni për këshillin e lartë (engjëjt) kur ata polemizojnë.”[5]

4 – Xhundullah (Ushtritë e Allahut)

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, përmendeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju erdhën ushtri, e Ne dërguam kundër tyre erë dhe ushtri (engjëj) që ju nuk i shihnit.”[6] Kjo ka ndodhur në betejën e Hendekut. Kurse në lidhje me betëjën e Hunejnit, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pastaj Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët, dhe zbriti ushtri (engjëjt) që ju nuk i shihnit.”[7] Në suren Muddethir, Allahu i Lartësuar thotë: “Askush nuk i di ushtritë (engjëj..etj) e Zotit tënd përveç Tij.”[8] Domethëniet e këtij emri janë të qarta në ndihmën dhe përkrahjen e besimtarëve, në mbrojtjen e tyre dhe në asistimin e tyre kundër armiqve.

5 – Zebanitë (Rojet)

Është emër i posaçëm për rojet e Xhehenemit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’i thërrasim zebanitë (rojet e Xhehenemit).”[9] Ata u quajtën kështu për shkak të detyrës së tyre si roje të Xhehenemit dhe shtyrjes së jobesimtarëve drejt tij. Katade ka thënë: “Zebanitë, në gjuhën arabe, janë rojet.” Mukatili ka thënë: “Ata janë rojtarët e Xhehenemit.” Ndërsa Ibn Kutejbe thotë: “Rrjedh nga ‘zebn’, që do të thotë shtytje; sikur ata t’i shtyjnë banorët e zjarrit drejt tij.”

6 – Muakkibat (Ndërrues)

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ka ndërrues përpara dhe pas tij që e ruajnë me urdhrin e Allahut.”[10] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tek ju ndërrohen engjëj natën dhe engjëj ditën; ata mblidhen në namazin e sabahut dhe të ikindisë, pastaj ngjiten ata që e kanë kaluar natën tek ju, dhe Ai i pyet – ndonëse Ai e di më së miri –: Si i late robërit e Mi? Ata thonë: I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur.”[11]

Ndërrimi i përmendur në hadith nënkupton dëshmimin e engjëjve në namaze, ku një grup vjen pas tjetrit dhe e zëvendëson atë; pra, ka kuptimin e rotacionit dhe ndërrimit. Ndërsa ndërrimi i përmendur në ajet ka për qëllim ruajtjen e robit, gjë që na çon te emri vijues:

7 – El Hafadhetu (Ruajtësit)

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është Sunduesi mbi robërit e Tij dhe dërgon mbi ju ruajtës (engjëj), derisa kur ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, të dërguarit Tanë ia marrin shpirtin dhe ata kurrë nuk janë të pakujdesshëm ndaj detyrës së tyre.”[12] Nga ajeti kuptohet se ky emërtim lidhet me detyrën e tyre për ta ruajtur njeriun derisa t’i vijë afati i caktuar.

8 – Sefere (shkruesit)

Allahu i Lartësuar thotë: “Në duar të shkruesve.”[13] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shembulli i atij që e lexon Kuranin dhe e ka mësuar përmendësh është me seferët fisnikë e të devotshëm.”[14]

Seferët janë shkruesit; engjëjt e qiellit dhe të tokës janë seferë, domethënë shkrues që regjistrojnë veprat e banorëve të tokës. Fjala rrjedh edhe nga “sefara”, që do të thotë ndërmjetësim dhe pajtim. Buhariu thotë: “Seferët e engjëjve – njëjësi i tyre është “safir” – do të thotë: ata ndërmjetësojnë dhe pajtojnë; engjëjt, kur zbresin me shpalljen e Allahut dhe e përcjellin atë, janë si i dërguari që pajton mes njerëzve.”

9 – Esh’had (Dëshmitarët)

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe dëshmitarët (engjëjt) do të thonë: këta janë ata që gënjyen për Zotin e tyre; mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët.”[15] Ky emërtim lidhet me dëshmimin mbi robërit. Katade thotë: “Dëshmitarët janë engjëjt, që dëshmojnë mbi bijtë e Ademit për veprat e tyre.” Ky emër, edhe pse i vërtetë për engjëjt, nuk është i veçantë vetëm për ta, sepse edhe pejgamberët do të dëshmojnë Ditën e Kiametit për popujt e tyre, ashtu si edhe njerëzit do të dëshmojnë për njëri-tjetrin.

Këta janë emrat më të rëndësishëm të përgjithshëm të engjëjve, të vërtetuar në tekstet e Kuranit dhe Sunetit.

Së dyti: Engjëjt e përmendur me emra të përveçëm:

1 – Xhibrili (a.s)

Pa dyshim, ai është më i madhi ndër engjëjt dhe prijësi i tyre. Si të mos jetë i tillë, kur ai ishte besniku i shpalljes dhe ambasadori i veçantë te profetët dhe të dërguarit? Ai ka pasur veçori dhe kompetenca që nuk i ka pasur asnjë engjëll tjetër.

Ai është engjëlli që e shoqëroi Pejgamberin (a.s) në udhëtimin dhe ngjitjen e tij deri te Sidretu-l-Munteha, gjë që tregon pozitën e tij të lartë, me të cilën ai ka paraprirë ndaj engjëjve të tjerë. Malik ibn Sa’sa’a (r.a) transmeton se Pejgamberi (a.s) i ka treguar për natën e Israsë, dhe ndër të tjera ka thënë: “Pastaj u ngrita deri te Sidretu-l-Munteha; frutat e saj ishin si qypat e mëdhenj të Haxherit, ndërsa gjethet e saj si veshët e elefantëve. Xhibrili tha: Kjo është Sidretu-l-Munteha.”[16]

Emri i Xhibrilit (a.s) është përmendur shumë qartë, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Kush është armik i Xhibrilit, ai e ka zbritur atë (Kuranin) në zemrën tënde me lejen e Allahut, duke vërtetuar atë që ishte para tij dhe si udhëzim e përgëzim për besimtarët. Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, Allahu është armik i jobesimtarëve.”[17]Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ju të dyja pendoheni tek Allahu, zemrat tuaja janë anuar; por nëse bashkoheni kundër tij, atëherë Allahu është Mbrojtësi i tij, edhe Xhibrili, edhe besimtarët e mirë, dhe engjëjt pas kësaj janë mbështetës.”[18]

Sa i përket Sunetit, hadithet janë të shumta në përmendjen e tij, të veprave dhe qëndrimeve të tij me profetët dhe të dërguarit.

Emri Xhibril është i huaj (jo arab) sipas mendimit më të saktë, dhe ka disa forma të sakta. Katër prej tyre kanë ardhur në transmetimet muteuatir: Xhibril, Xhebril, Xhebrë’il dhe Xhebrë’iil (me dallime fonetike), ndërsa një formë ka ardhur në transmetim “Ahad”, ajo është: Xhebrail. Nga Aishja (r.a) transmetohet se Pejgamberi (a.s), kur ngrihej natën për namaz, e fillonte lutjen duke thënë: “O Allah, Zot i Xhebrailit, i Mikailit dhe i Israfilit, Krijues i qiejve dhe i tokës…”[19]

Xhibrili (a.s) është përmendur edhe me emërtime të tjera në Kuran:

Njëherë si Shpirti (Ruh) ,pa cilësim tjetër, në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ditën kur do të qëndrojë Shpirti dhe engjëjt rresht.”[20]

Njëherë tjetër si Shpirti besnik (Ruhul Emin), në fjalën e Tij: “E zbriti atë Shpirti besnik mbi zemrën tënde, që të jesh prej paralajmëruesve.”[21]

Herën e tretë si Shpirti i Shenjtë (Ruhul Kuddus), në fjalën e Tij: “Thuaj: e ka zbritur Shpirti i Shenjtë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besuan dhe si udhëzim e përgëzim për muslimanët.”[22]

“Shenjtëria (el-kudus)” këtu i referohet Allahut të Lartësuar; Xhibrili i është atribuar Atij për nderim dhe veçim. Ky përdorim ka ardhur edhe në hadithin e Aishes (r.a), ku i Dërguari i Allahut (a.s) i tha Hasanit: “Shpirti i Shenjtë vazhdon të të mbështesë, përderisa ti e mbron Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”[23]

2 – Mikaili (a.s)

Ai është engjëlli i ngarkuar me reshjet dhe zbritjen e shiut. Emri i tij ka ardhur në Librin e Allahut në fjalën e Tij: “Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, Allahu është armik i jobesimtarëve.”[24]

Ky engjëll njihet me tre emra: Mikal, Mikail dhe Mika’iil, siç e kanë përmendur dijetarët e tefsirit.

Pejgamberi (a.s) e ka parë atë në ëndërr; ai (a.s) ka thënë: “Pashë sonte dy burra që erdhën tek unë; ata thanë: ai që ndez zjarrin është Maliku, rojtari i zjarrit; unë jam Xhibrili, dhe ky është Mikaili.”[25]

3 – Israfili (a.s)

Ai është engjëlli me misionin e madh të botës tjetër, që sinjalizon përfundimin e jetës së kësaj bote dhe tubimin e njerëzve për shpërblim dhe llogari; misioni i tij është fryrja në Sur (bori). Emri i tij ka ardhur në hadithin e Abdullah ibn Mes’udit (r.a), i cili thotë: “Kur faleshim pas të Dërguarit të Allahut (a.s), thoshim: Paqja qoftë mbi Xhibrilin, paqja qoftë mbi Mikailin, paqja qoftë mbi Israfilin. Atëherë ai tha: Vërtet Allahu është Paqja…”[26]

Israfili (a.s) ka edhe një emërtim tjetër: “Sahibu i bririt (Surit)”, që do të fryhet në Ditën e Kiametit. Nga Ebu Seid el-Hudriu (r.a) transmetohet se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Si të jem i qetë, kur Sahibu i bririt e ka vendosur bririn në gojë, e ka ulur ballin dhe ka mprehur dëgjimin, duke pritur se kur do të urdhërohet?”[27]

4 – Maliku (a.s)

Ai është rojtari i Xhehenemit. Emri i tij përmendet në fjalën e Allahut: “Dhe ata do të thërrasin: O Malik, le të na japë fund Zoti yt! Ai do të thotë: ju do të qëndroni (aty).”[28] Po ashtu përmendet në hadithin e Samura ibn Xhundubit që u citua më herët: “…ai që ndez zjarrin është Maliku, rojtari i zjarrit.”

5 – Munkeri dhe Nekiri

Ata janë dy engjëjt fisnikë që e marrin në pyetje robin në varr me tri pyetjet e njohura. Nga Ebu Hurejra (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur i vdekuri varroset, i vijnë dy engjëj të zinj e të kaltër; njërit i thuhet Munker dhe tjetrit Nekir…”[29]

6 – Engjëlli i vdekjes[30]

Ai është engjëlli të cilit i është besuar detyra e marrjes së shpirtrave. Në tekstet e shpalljes, në Kuran dhe Sunet, ai është quajtur Engjëlli i vdekjes. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: ju merr shpirtin Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.”[31]

7 – Haruti dhe Maruti

Janë dy engjëj emrat e të cilëve kanë ardhur në suren Bekare. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Sulejmani nuk mohoi, por shejtanët mohuan, duke i mësuar njerëzit magjinë dhe atë që u zbriti dy engjëjve në Babilon: Harutit dhe Marutit.”[32] Kjo është sipas mendimit të atyre që i konsiderojnë këta si emra të këtyre dy engjëjve; çështja e mospajtimit rreth kësaj është trajtuar gjerësisht në librat e tefsirit.

8 – Rrufeja (Er-Ra’d)

Ky është emri i një engjëlli prej engjëjve që veprojnë nën urdhrin e Mikailit (a.s). Nga Ibn Abasi (r.a) transmetohet se disa hebrenj erdhën te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i thanë: “Na trego, çfarë është kjo rrufe?” Ai (a.s) u përgjigj: “Është një engjëll prej engjëjve të Allahut të Madhëruar, i ngarkuar me retë…”[33]

Vlen të theksohet këtu se kur themi: “Ekziston një engjëll me emrin Rrufe”, nuk kemi për qëllim fenomenin natyror që ndodh si pasojë e rritjes së menjëhershme të presionit dhe temperaturës në ajrin përreth reve. Ky përkim në emër nuk do të thotë njësi në kuptim; përkundrazi, bëhet fjalë për një engjëll fisnik, për ekzistencën dhe emrin e të cilit kanë ardhur tekste të qarta. Çështje të tilla nuk merren përmes hamendësimit apo arsyetimit personal, por bazohen vetëm në vërtetimin tekstual.

9 – Riduani

Ai është roja i portës së Xhenetit. Në lidhje me emrin e tij nuk është përmendur gjë në Kuran dhe po ashtu edhe në hadithet e Profetit (a.s). Megjithatë ky emër është i njohur në mesin e dijetarëve dhe shpesh herë përmendet nga ata.

Përktheu: Elton Harxhi

ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Haxh: 75.

[2] – Sure Fatir: 1.

[3] – Sure Hakkah: 17.

[4] – Sure Saffat: 8.

[5] – Sure Sad: 69.

[6] – Sure Ahzab: 9.

[7] – Sure Teube: 26.

[8] – Sure Muddethir: 31.

[9] – Sure Alak: 18.

[10] – Sure Rra’d: 11.

[11] – Buhariu dhe Muslimi.

[12] – Sure En’am: 61.

[13] – Sure Abese: 15.

[14] – Buhariu dhe Muslimi.

[15] – Sure Hud: 18.

[16] – Buhariu.

[17] – Sure Bekare: 97-98.

[18] – Sure Tahrim: 4.

[19] – Muslimi.

[20] – Sure Nebe’: 38.

[21] – Sure Shuara: 193-194.

[22] – Sure Nahl: 102.

[23] – Muslimi.

[24] – Sure Bekare: 98.

[25] – Buhariu.

[26] – Darimi.

[27] – Ahmedi.

[28] – Sure Zuhruf: 77.

[29] – Tirmidhiu: Hadithi është Hasen.

[30] – Në disa transmetime thuhet se ai është Azraili, por transmetimet e tilla janë marrë nga rrëfimet israelite, për të cilat as nuk mund t’i besojmë dhe as t’i përgënjeshtrojmë. Prandaj në këtë kontekst le të mjaftohemi me emërtimin të cilin e ka quajtur Allahu i Lartësuar në Kuran.

[31] – Sure Sexhde: 11.

[32] – Sure Bekare; 102.

[33] – Ahmedi.