Ende pa filluar mirë, dështon seanca për “Veteranët e rrejshëm”

Ka përfunduar seanca fillestare e paraparë të zhvillohej sot në drejtim të 12 të akuzuarve për rastin ‘Veteranët e rrejshëm’. Seanca në fjalë është shtyrë për datën 14 mars. Përfundimi është bërë me arsyetimin se nuk janë krijuar kushte për t’u zhvilluar seanca. Në këtë seancë e cila nisi në ora 10:00, parashihej të diskutohej në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masë të përkohshme për ndalimin e pensioneve për ‘Veteranet e rrejshëm’. “Nuk janë krijuar kushte për të mbajtur seancën fillestare, Gjykata ka paraparë që sot të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar për masën e përkohshme për ndalimin e pensioneve, por kjo seancë do të shtyhet për një datë tjetër”, është thënë në seancë, transmeton Indeksonline. Ndërsa avokati mbrojtës, Arianit Koci ka thënë se kanë pranuar shkresën e lëndës, por jo edhe ftesën për klientët e tij që të paraqiten në seancë. “Kërkojmë që të shmangen këto mangësi, që të mos kemi problemë për të ardhmen, pra që të mos zvarritet procesi. Pra Shkumbin Demaliaj ka pranuar aktakuzën por jo edhe ftesën.”, ka thënë Koci. Ndryshe në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale. Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent.