Nuk ka njeri në këtë botë që nuk ëndërron. Nuk flas për imazhet e çrregullta të gjumit, por për atë zjarr të heshtur që digjet brenda nesh, për dëshirat që lindin në dritën e vetëdijes – ëndrrat e njeriut të zgjuar.
Ëndrrat kanë qenë frymëzimi i heshtur që ka shtyrë shkencëtarë të guximshëm, reformatorë të paepur, sipërmarrës që rrezikojnë gjithçka, luftëtarë që përballen me stuhi, udhëheqës që bartin peshën e shpresës, dhe artistë që sfidojnë formën për hir të shpirtit. Ato kanë qenë farat e padukshme që një ditë janë kthyer në realitet, duke kaluar nga horizonti i imagjinatës në peizazhin e prekshëm të jetës.
Bota moderne ka rënë në dashuri pas idesë: se mjafton të përpiqesh fort, të besosh mjaftueshëm, të këmbëngulësh mjaft gjatë – dhe gjithçka do të bëhet e mundur. Është një dogmë e kohës: doktrina e realizimit të ëndrrave. Psikologjia e suksesit, me retorikën e saj të ambalazhuar si magji motivuese, e ka shndërruar këtë ide në mall të kërkuar. Ajo u shet njerëzve receta për lumturinë dhe e përkufizon suksesin si përmbushjen e çdo ëndrre personale, si të ishte një formulë matematikore.
Por, jeta nuk është një ekuacion i thjeshtë. Realiteti na mëson se shumë ëndrra nuk përmbushen, madje, ndonjëherë, as ato më fisniket. Disa janë iluzione të bukura që, për t’u bërë realitet, do të kërkonin përmbysjen e vetë strukturës së ekzistencës. Disa të tjera janë thjesht utopi që tërheqin më shumë për ngjyrën se sa për përmbajtjen.
Ka edhe nga ata që besojnë se vullneti dhe pasioni njerëzor janë më të fortë se çdo ligj i jetës. Ata mendojnë se mund të thyejnë edhe atë që është e pandryshueshme – sikur vetë forcat që qeverisin botën të ishin peng i dëshirës së tyre. Dhe kur ëndrra nuk përmbushet, ata fajësojnë veten, duke besuar se dështimi flet për një mangësi të brendshme dhe jo për kufizimin e natyrshëm të rrethanave.
Kjo është pikërisht ana tjetër e medaljes së fatalizmit: nga njëra anë idetë magjike që njeriu kontrollon gjithçka, nga ana tjetër, besimi se gjithçka është e përcaktuar dhe njeriu është vetëm një kukull në duart e fatit, apo sipas versionit konspirativ, në duart e atyre që kontrollojnë botën në mënyrë enigmatike pas skenës publike të jetës. Por e vërteta është diku mes këtyre skajeve. Ligjet e jetës janë aty. Mund t’i anashkalosh për një çast, por jo t’i injorosh përgjithmonë pa pasoja. Dhe kush përpiqet t’i thyejë, shpesh thyen kokën në përplasjen me to.
Marksi dikur tha- në atë të famshmen thënie- se filozofët e kanë shpjeguar botën, por çështja është ta ndryshosh atë. Ai kishte idetë e tij për këtë ndryshim, siç kanë pasur edhe të tjerë para dhe pas tij. Por, përtej çdo përpjekjeje njerëzore, as ai dhe askush tjetër nuk mund të parashikonin e aq më tepër të kontrollonin pasojat e ideve dhe veprimeve të veta. Njeriu mund të planifikojë me përpikëri, por rrjedha e gjërave shpesh ndjek një logjikë tjetër – atë të ligjeve të providencës hyjnore, sepse bota, në thelb, është në duart e krijuesit.
Dija njerëzore ka kufij. Sado që shkenca të përparojë, sado që psikologjia të depërtojë në thellësitë e shpirtit, mbeten gjithnjë enigma që nuk mund të zbërthehen dhe të panjohura që nuk mund të kontrollohen. Pikërisht për këtë arsye, ideologjitë që përjashtojnë Zotin si faktor në rrjedhën e jetës, synojnë ta zëvendësojnë atë me kontrollin total të sistemit mbi individin. Por në fund, kjo përpjekje rezulton e kotë. Historia na mëson se gjithmonë kontrolli absolut është përmbysur nga realiteti i padukshëm dhe i pamatshëm që i shpëton çdo llogaritjeje.
Ata që enden pas utopive ose konspiracionit janë ose mohues të Zotit, ose besimtarë që nuk e kanë kuptuar se si Zoti vepron përmes ligjeve të Tij – dhe jo pavarësisht tyre. “Kurrë nuk do të gjesh ndërrim në ligjin e Allahut dhe kurrë nuk do të gjesh devijim nga ligji i Allahut.” (Fatir: 43)
Ndaj, jetoni me maturi. Ëndërroni, por ëndërroni brenda asaj që është e mundur, e natyrshme dhe e drejtë. Përpiquni fort, jini këmbëngulës dhe të përgjegjshëm, por pranoni se fati është në dorën e atij që i drejton qiejt dhe tokën.
Dhe nuk ka udhërrëfyes më të bukur sesa fjala profetike, që përmbledh një filozofi të jetës përtej çdo teorie:
“Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, edhe pse në të dy ka mirësi. Përpiqu për atë që të sjell dobi, kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u trego i paaftë. Nëse të godet ndonjë gjë, mos thuaj: ‘Sikur të kisha vepruar kështu e ashtu, do të kishte ndodhur kështu e ashtu.’ Por thuaj: ‘Ka qenë e caktuar nga Allahu dhe çfarë deshi Ai, bëri.’ Sepse ‘sikur’ hap derën e shejtanit.” (Muslimi nr. 2664)
Hoxhë Justinian Topulli








