Kur korrespondenca e “rastësishme” kthehet në një rrezik politik të madh
Deklarata e fundit publike e Melania Trump nga podiumi i Shtëpisë së Bardhë të enjten, shënoi një kthesë të pazakontë në strategjinë e komunikimit të Zonjës së Parë. Duke thyer heshtjen e saj karakteristike, ajo zgjodhi të përballej drejtpërdrejt me hijet e skandalit “Epstein”, një çështje që e përndjek prej muajsh administratën Trump.
Pyetja që lind natyrshëm është: pse tani dhe çfarë frike fshihet pas këtij reagimi kaq frontal? Analiza e fjalimit të saj, sugjeron se frika kryesore e Melania Trump nuk është vetëm ligjore, por mbi të gjitha reputacionale dhe politike.
Duke mohuar kategorikisht se Jeffrey Epstein e prezantoi atë me Donald Trumpin, ajo po përpiqet të mbrojë legjitimitetin e historisë së saj personale. Për Melania-n, narrativa se ajo mund të ketë qenë pjesë e rrethit të ngushtë të një abuzuesi seksual të dënuar është një “shpifje e rreme” që synon të dëmtojë “emrin e saj të mirë”.
Edhe termat e përdorur prej saj, si “individë me shpirt të keq” dhe “veprime të motivuara politikisht”, tregojnë se ajo e sheh këtë si një sulm të koordinuar për të goditur administratën përmes figurës së saj.
Situata ndizet akoma më shumë kur merret parasysh roli i Pam Bondit. Ish-Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, e cila tashmë po sfidon thirrjet e Kongresit, zotëron çelësat e shumë prapaskenave të errëta.
Për shumë vëzhgues, ekziston frika se Bondi mund të tundohet e të flasë, duke zbuluar detaje që deri më sot janë mbajtur me forcë nën kyç.
Nëse ajo vendos të bashkëpunojë, rrjeti i mbrojtjes rreth presidentit dhe rrethit të tij të ngushtë mund të shembet brenda natës, duke e lënë Zonjën e Parë të ekspozuar ndaj një stuhie dëshmish që tejkalojnë “korrespondencën e rastësishme” me Ghislaine Maxëell, partneren e Epstein.
Në këtë kontekst, teoria e shmangies së vëmendjes merr përmasa drithëruese. Shumë analistë dhe ekspertë sugjerojnë se lufta e re me Iranin, e nisur pas tensioneve të vitit 2025, nuk ishte thjesht një domosdoshmëri gjeopolitike, por një manovër strategjike për të larguar vëmendjen nga “dosja Epstein”.
Të vërtetat përvëluese që fshihen në ato dokumente, ku presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dyshohen për përfshirje të gjerë, rrezikonin të shpërthenin në opinionin publik.
Një konflikt ushtarak shërben si “perde tymi” ideale për të mbuluar skandalet seksuale dhe financiare që prekin themelet e pushtetit. Interesant është edhe fakti që ajo bëri thirrje që viktimat e Epstein të dëshmojnë nën betim.
Kjo lëvizje mund të shihet si një përpjekje për të rifituar një lloj “lartësie morale”, por nën dritën e implikimeve të rrethit të ngushtë të familjes Trump nga ky skandal, kjo duket më shumë si një mbrojtje paraprake.
Frika e Melania-s nuk është thjesht për të kaluarën, por për mënyrën se si dëshmitë e reja dhe prapaskenat që mund të zbulojë Bondi, mund të grisnin velin e harresës që administrata tentoi të ngrinte përmes luftës aktuale.
Duke thënë se “nuk ka qenë kurrë shoqe me Epstein”, ajo po tenton të ndërtojë një mur midis emrit të saj dhe një prej skandaleve më të errëta të epokës moderne, ndërkohë që e vërteta mbetet një kërcënim i hapur. /tesheshi






