Dorëheqja e këshilltarit McSweeney: Kryeministri, i pambrojtur përballë revoltës së brendshme dhe dokumenteve komprometuese
Keir Starmer po lufton për mbijetesë politike pas shpërthimit të skandalit “Mandelson-Epstein”. Kryeministri britanik është në qendër të kritikave për emërimin e Peter Mandelson si ambasador në SHBA.
Ky vendim u mor pavarësisht lidhjeve të njohura të Mandelson me Jeffrey Epstein. Situata është rënduar pas dorëheqjes së Morgan McSweeney, këshilltarit më të afërt të Starmer. McSweeney e pranoi përgjegjësinë për këshillën e gabuar dhe dha dorëheqjen mbrëmjen e të dielës.
Ky largim e ka lënë Starmer-in të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj sulmeve të brendshme. Deputetët laburistë janë të zemëruar dhe po vënë në dyshim gjykimin e kryeministrit. Shumë prej tyre mendojnë se dorëheqja e këshilltarit nuk mjafton për të qetësuar situatën.
Ata kërkojnë transparencë të plotë për mënyrën se si u injoruan paralajmërimet e organeve të sigurisë. Largimi i McSweeney shihet si një goditje fatale, sepse ai ishte truri i lëvizjeve politike të Starmerit. Pa mbrojtjen e tij, kryeministri po përballet drejtpërdrejt me akuzat për mungesë integriteti.
Zyra e Kabinetit, ishte paralajmëruar më parë për rreziqet etike të këtij emërimi të debatueshëm. Së shpejti pritet të publikohen mesazhe private dhe dokumente që mund të dëmtojnë edhe më shumë imazhin e qeverisë aktuale.
Opozita dhe figura të larta brenda partisë po kërkojnë llogari direkte nga Starmer. Ai akuzohet se ka humbur kontrollin mbi partinë dhe mbi qeverisjen e vendit në një moment shumë kritik. Fati i kryeministrit varet tashmë nga zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen së shpejti në Gorton dhe Denton.
Kritikët thonë se nuk është më çështje nëse ai do të largohet, por kur do të ndodhë kjo. Starmer është ‘plagosur’ rëndë politikisht dhe mbështetja e tij po zbehet çdo ditë brenda grupit parlamentar. Britania por jo vetëm ndjek me vëmendje këtë krizë të paprecedentë që mund të sjellë ndryshime të mëdha në Downing Street. /tesheshi






