Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar se partneriteti midis Turqisë dhe Azerbajxhanit është një shembull për të gjitha “vendet vëllazërore” brenda Organizatës së Shteteve Turke (OTS), raporton Anadolu.
Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit të kthimit nga Azerbajxhani të enjten, Erdoğan falënderoi Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe popullin azerbajxhanas për mikpritjen e tyre gjatë vizitës së tij për të përkujtuar Ditën e Pavarësisë së vendit më 28 maj.
“Turqia dhe Azerbajxhani po zhvillojnë partneritete në shumë fusha dhe ne e konsiderojmë mbrojtjen, energjinë, bujqësinë dhe blegtorinë si fusha strategjike. Tani, duam të krijojmë një bashkëpunim edhe më të ngushtë me Azerbajxhanin për sigurinë e furnizimit me ushqim”, tha Erdoğan.
Ai tha se ky thellim i lidhjeve është një dritë për “vendet e tjera vëllazërore që janë anëtare të Organizatës së Shteteve Turke. Ne do t’u japim përparësi vendeve tona vëllazërore në produktet ku kemi furnizim të tepërt. Së bashku, do të prodhojmë më shumë, do të ndajmë më shumë dhe do të ecim më me vendosmëri drejt të nesërmes”.
I pyetur në lidhje me Korridorin e Zangezurit dhe ndikimin që Irani mund të ketë në lidhjen midis Turqisë dhe Azerbajxhanit, presidenti turk tha se presin që Teherani të mbështesë hapat që do të kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.
“Korridori i Zangezurit nuk është vetëm një lidhje tokësore midis Azerbajxhanit dhe Nakhçivanit, por edhe një rrugë e re integrimi që shtrihet në botën turke nëpërmjet Turqisë”, tha ai.
– Rinisja e procesit të paqes në Stamboll
Presidenti turk mirëpriti propozimin e Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, për të mbajtur përsëri bisedime paqeje me Ukrainën në Stamboll. Bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit në tre vjet u mbajtën në metropolin turk në fillim të këtij muaji.
“Lavrov tha se Rusia dëshiron që raundi i dytë i bisedimeve me Ukrainën të mbahet në Stamboll. Kjo do të lejonte që procesi i paqes në Stamboll të rifillojë”, tha Erdoğan.
Ai tha se “deklarata e Ministrit të Jashtëm rus Lavrov nuk duhet marrë lehtë, ajo ka rritur më tej shpresat tona për paqe”.
“Ne vazhdojmë të përpiqemi për paqe dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi në kontakt si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën. E shohim vrullin që kemi fituar si një mundësi për paqe të qëndrueshme. Në çdo takim, u kujtojmë të gjithë homologëve tanë se kjo mundësi nuk duhet humbur”, tha Erdoğan.
– “Integriteti territorial dhe uniteti kombëtar i Sirisë duhet të ruhen”
Lidhur me vlerësimet e tij mbi integrimin e vazhdueshëm të grupit terrorist Forcat Demokratike Siriane me qeverinë e re në Damask, Erdoğan përsëriti thirrjet e tij se “integriteti territorial dhe uniteti kombëtar i Sirisë duhet të ruhen”.
“Ne kemi thënë edhe më parë se e mirëpresim marrëveshjen e arritur. Ne shohim që Forcat Demokratike Siriane ende po përdorin taktika vonuese dhe duhet të ndalojnë së vepruari kështu. Ne po monitorojmë nga afër zbatimin e vendimeve të marra”, shtoi ai.
– Eksplorim në Pakistan
Presidenti turk njoftoi gjithashtu se “Turkish Petroleum ka rënë dakord të eksplorojë dy zona tokësore në Pakistan”.
Erdoğan tha se ishte arritur gjithashtu një marrëveshje për eksplorimin në det të hapur për gaz natyror, i cili do të fillojë së shpejti.






