Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan bën thirrje për reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Erdogan bën thirrje për reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje për reforma në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me qëllim krijimin e një strukture më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, e cila do të mund t’u përgjigjet më mirë krizave globale.

Në një mesazh të publikuar të shtunën, me rastin e Ditës së OKB-së dhe 81-vjetorit të themelimit të organizatës, Erdogan theksoi se misioni i saj është edhe më i rëndësishëm përballë sfidave të shumta ndërkombëtare.

“Është bërë veçanërisht e rëndësishme krijimi i një strukture më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mund t’i përmbushë pritjet e komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Erdogan.

Ai përmendi luftërat, katastrofat humanitare, ndryshimet klimatike, urinë, varfërinë, racizmin, ksenofobinë dhe islamofobinë si sfida që dëshmojnë nevojën për një OKB më efektive.

Duke iu referuar situatës në Gaza, Erdogan tha se vrasja e më shumë se 74 mijë palestinezëve, së bashku me konfliktet në pjesë të tjera të botës, dëshmon urgjencën e reformimit të organizatës.

Ai u bëri thirrje vendeve që të respektojnë më fuqishëm Kartën e OKB-së dhe të mbështesin reformat që do të rrisin efektivitetin e organeve kryesore të saj.

Erdogan rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Turqisë për nismën UN80, të ndërmarrë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, si dhe përpjekjet që Stambolli të shndërrohet në një qendër të organizatës. /mesazhi