Erdoğan bisedë me Merkel: BE i është nënshtruar presionit dhe shantazhit të Greqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një bisedë me kancelaren gjermane, Angela Merkel nëpërmjet video-lidhjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë thuhet se në bisedë janë trajtuar marrëdhëniet Turqi-Gjermani dhe Turqi-BE ndërsa është diskutuar edhe për zhvillimet rajonale, përfshirë Mesdheun Lindor, Libinë dhe çështjen Azerbajxhan-Armeni.

Erdoğan në bisedë tha se deklarata e Samitit të Liderëve të BE-së nuk posedonte elemente që do të mundësojnë tejkalimin e problemeve në marrëdhëniet si dhe për përgatitjen e terrenit për dialog dhe bashkëpunim.

Ai tërhoqi vëmendjen se pavarësisht qëndrimit të vendit të tij me qëllim të mirë, BE-ja i është nënshtruar presionit dhe shantazhit të Greqisë dhe Administratës Greke të Qipros Jugore. Presidenti turk potencoi se interesat e mëdha të Evropës nuk duhet të sakrifikohen për interesat e vogla të disa anëtarëve të Unionit.

Erdoğan më tej tha se për zgjidhje të përhershme të problemit rreth tokave të okupuara të Azerbajxhanit nga Armenia duhet të zbatohen rezolutat e OKB-së dhe të përmbushen kërkesat e ligjit ndërkombëtar, ndërsa tha se mundësia që ka dalë falë qetësisë së siguruar në terren në Libi nuk duhet të humbet.

Në bisedën me kancelaren Merkel, presidentin Erdoğan e shoqëruan kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), Hakan Fidan, kreu i Çështjeve Administrative pranë Presidencës, Metin Kıratlı, drejtori i Komunikimeve, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi presidencial İbrahim Kalın.