Tetë muaj pas emërimit të Mojtaba Khameneit, pushteti po përqendrohet te gjashtë drejtues, katër prej tyre ushtarakë të Gardës Revolucionare
Tetë muaj pas emërimit si Lider Suprem i Iranit, për Mojtaba Khamenein vazhdon të mos ketë asnjë informacion të sigurt. Në letër, ai është autoriteti më i lartë politik, fetar dhe ushtarak i vendit, nga i cili duhet të kalojnë të gjitha vendimet madhore.
Ai pasoi të atin, Ali Khamenei, i vrarë nga një bombardim izraelit më 28 shkurt, por që prej atëherë nuk është shfaqur asnjëherë publikisht apo në video. Edhe mesazhet e tij me shkrim, të transmetuara përmes komunikatave zyrtare, janë të rralla.
Megjithatë, Irani duket se ka gjetur një mënyrë të re funksionimi, e cila nuk varet më drejtpërdrejt nga figura e Liderit Suprem.
Vendimet më të rëndësishme merren nga një grup i ngushtë prej gjashtë personash, ndërsa ndikimi i klerit në drejtimin e shtetit është zvogëluar në favor të ushtrisë dhe, veçanërisht, Gardës Revolucionare, strukturës më të fuqishme ushtarake të vendit.
Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, ky mekanizëm duket se po funksionon, madje në disa aspekte më me efikasitet se sistemi i mëparshëm.
Shërbimet kryesore perëndimore të inteligjencës besojnë se Mojtaba Khamenei është gjallë, por gjendja e tij shëndetësore mbetet e panjohur.
Qëndrimi zyrtar i Teheranit është se ai vazhdon ta drejtojë vendin, ndërsa mungesa e tij publike shpjegohet me frikën se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara mund të tentojnë ta vrasin edhe atë. Por në praktikë, një pjesë e madhe e kompetencave që më parë i përkisnin drejtpërdrejt Liderit Suprem kanë kaluar në duar të tjera.
Gjatë 37 viteve në pushtet, Ali Khamenei ndërtoi një aparat të jashtëzakonshëm politik, administrativ dhe burokratik, që funksiononte paralelisht me qeverinë.
I njohur si Zyra e Liderit Suprem, ai kishte më shumë se 40.000 punonjës, këshilltarë dhe përfaqësues në ministri, ushtri, universitete dhe institucione publike. Përmes tij kontrolloheshin edhe emërimet e rëndësishme në qeveri, drejtësi dhe televizionin shtetëror.
Sot, sipas burimeve brenda administratës iraniane të cituara nga revista The Economist, ky mekanizëm nuk është më i domosdoshëm. Vendimet mund të merren pa kaluar nëpër filtrin e dikurshëm të zyrës së Liderit Suprem, çka ka shkurtuar zinxhirin e komandimit.
Një ndryshim tjetër është dobësimi i zbatimit të disa kufizimeve fetare, përfshirë detyrimin për mbajtjen e hixhabit dhe ndalimin e alkoolit.
Qendra e re e vendimmarrjes është një grup prej gjashtë personash, të gjithë anëtarë të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, organi që koordinon përgjigjen ndaj krizave të brendshme dhe të jashtme.
Presidenti Masoud Pezeshkian e ka shpjeguar këtë mekanizëm në një intervistë për televizionin amerikan CBS, duke thënë se gjashtë përfaqësues nga institucione të ndryshme mblidhen për të diskutuar dhe koordinuar vendimet.
Katër prej tyre janë ushtarakë të lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare. Bëhet fjalë për gjeneralin Ahmad Vahidi, komandantin e Gardës dhe njeriun që konsiderohet më i fuqishmi në vend; Mohsen Rezaei, sekretarin e Këshillit të Lartë dhe ish-komandant të Gardës; Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetarin e Parlamentit dhe ish-gjeneral; si dhe Ali Abdollahi, drejtuesin e forcave të armatosura, gjithashtu ish-gjeneral i Gardës.
Dy anëtarët e tjerë janë civilë: presidenti Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi. Vendimet merren unanimisht, por besohet se dy përfaqësuesit civilë kanë ndikim më të kufizuar në çështjet e sigurisë kombëtare.
Zyrtarisht, grupi konsultohet me Liderin Suprem dhe merr udhëzime prej tij, por nuk dihet nëse kjo ndodh realisht. Mojtaba Khamenei ka pasur prej kohësh lidhje të ngushta me Gardën Revolucionare, drejtuesit e së cilës mbështetën fuqishëm emërimin e tij.
Kontrolli ushtarak është forcuar edhe përmes rolit të Hossein Taeb në sigurinë e brendshme. Ish-drejtuesi i inteligjencës së Gardës Revolucionare u emërua në gusht 2026 në krye të milicive Basij, të ngarkuara me shtypjen e protestave dhe mbikëqyrjen e shoqërisë.
Këto struktura kanë rreth 50.000 baza në të gjithë vendin dhe kontrollojnë nga afër qytetet, universitetet dhe institucionet. Forcimi i tyre ka ndikuar në zhdukjen e protestave kundër regjimit.
Ndërkohë, presidentit Pezeshkian i është lënë barra e menaxhimit të ekonomisë, e cila ndodhet në gjendje të rëndë. Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 10 për qind në periudhën mars-qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Papunësia po rritet, ndërsa gjysma e punonjësve është e angazhuar në sektorin informal. Bllokada detare amerikane, ka kufizuar ndjeshëm eksportet iraniane të naftës dhe gazit.
Grupi prej gjashtë personash drejton gjithashtu përpjekjet diplomatike për rifillimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
Qëndrimi i Donald Trump mbetet i paqartë, por Teherani ka bërë disa lëshime në krahasim me muajt e kaluar. Më i rëndësishmi është gatishmëria për të pranuar inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, për të verifikuar respektimin e ndalimit të zhvillimit të një programi bërthamor ushtarak.
Në këto kushte, Irani po përjeton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e ushtrimit të pushtetit. Lideri Suprem vazhdon të ekzistojë si autoriteti formal, por qeverisja reale po përqendrohet gjithnjë e më shumë te drejtuesit ushtarakë të Gardës Revolucionare. \tesheshi




