Erdogan inaguron Xhaminë Qendrore të Kölnit

Të shtunën (29.09) presidenti turk, Erdogan merr pjesë në hapjen zyrtare të xhamisë qendrore të Kölnit.

Presidenti turk, Erdogan të shtunën qëndron në Köln, ditën e fundit të vizitës në Gjermani, për të inaguruar zyrtarisht xhaminë qendore të Kölnit. Në një fjalim për afër 20 minuta, presidenti turk pritet të prekë edhe shqetësimin për rritjen e radikalizmit të djathtë në Gjermani.

Presidenti turk takohet të shtunën edhe me kryeministrin e landit të Renanisë-Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet. Takimi i planifikuar në një kështjellë duhej të ndryshohej, sepse pronarët e saj e refuzuan atë për arsye të bindjeve të tyre politike.

Laschet takohet pasdreken e së shtunës me presidentin turk në ambientet e aeroportit të Kölnit. Të shtunën Erdogan e mbylli qëndrimin në Berlin me një mëngjes pune me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Erdogan largohet nga Gjermania të shtunën rreth orës 18:00.

Pas takimit me Armin Laschet, Erdogan inaguron xhaminë qendrore të Kölnit. Kjo është një xhami e Unionit Turko-Islamik, Ditib që shihet në Gjermani si krahu i zgjatur i qeverisë turke. Ditib nga ana e saj e mohon këtë dhe thotë, se është një organizatë e pavarur. Në ceremoninë e hapjes së xhamisë qendrore nuk do të marrin pjesë politikanë gjermanë të nivelit të lartë.

Xhamia Qendrore e Kölnit është një nga xhamitë më të mëdha në Europë. Një kompleks modern betoni dhe xhami e ngritur nga dy arkitektë gjermanë, me një kupolë 36,5 metra të lartë dhe një minare 55 metra të lartë. Falja e parë në xhami u bë në qershor 2017.