Erdoğan: Ne japim mund për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit, në krye me Shqipërinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia jep mund për paqen, qetësinë, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit, në krye me Shqipërinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një lidhjeje direkte, Erdoğan foli në ceremoninë e hapjes së Spitalit Rajonal Memorial në Fier të ndërtuar nga Turqia, i referuar edhe si Spitali i Miqësisë Turqi-Shqipëri.

Erdoğan, i cili filloi fjalimin e tij duke përshëndetur të pranishmit, shprehu urime me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, duke uruar që ky muaj të jetë muaj i shëndetit, begatisë dhe të mirave për Shqipërinë dhe gjithë botën islame.

Ai nënvizoi se marrëdhëniet Turqi-Shqipëri zhvillohen dhe thellohen çdo ditë e më shumë mbi themelet e kulturës dhe historisë së përbashkët.

Duke e çuar në vend parimin e vëllazërisë, tha presidenti Erdoğan, Turqia tashmë mbi 30 vjet ka ofruar çdo lloj mbështetjeje për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë. Ai po ashtu deklaroi se Turqia ka qenë në anën e popullit shqiptar si në tërmetet e vitit 2019, ashtu edhe në kohën e pandemisë, pa pritur asnjë interes.

Ai përmendi edhe fjalën e tij në dhjetor në ceremoninë e projektit të banesave të ndërtuara nga Turqia në Laç, duke rikujtuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pas tërmeteve kishte thënë se krahas planeve A dhe B, pranë Shqipërisë është edhe Turqia.

“Shpresojmë që së bashku të gëzohemi duke i përfunduar banesat deri në muajin gusht dhe duke ua dorëzuar nevojtarëve. Sot po e zhvillojmë së bashku ceremoninë e inaugurimit të Spitalit të Miqësisë në Fier, i cili do të jetë një kontribut i rëndësishëm për infrastrukturën shëndetësore të Shqipërisë. Me vizitën e të nderuarit Rama në janar në Turqi, ne zyrtarizuam partneritetin strategjik dhe ngritëm lidhjet e miqësisë dhe vëllazërisë në nivele më të larta. Po ashtu, ne kishim deklaruar vendimin tonë për të ndërtuar një spital në Shqipëri me 150 shtretër brenda tre muajve. Falë Zotit, jemi krenar që e mbajtëm premtimin e dhënë për vëllezërit shqiptarë. E përfunduam ndërtimin e spitalit ende pa u mbushur tre muaj. E mobiluam dhe pajisëm atë me pajisjet më moderne mjekësore”, u shpreh Erdoğan.

“Spitali do të jetë pasuri për Shqipërinë”

Presidenti i Turqisë rikujtoi se ndërtimi i spitalit në Fier ka kushtuar 70 milionë euro dhe është në një sipërfaqe prej gjithsej 50 mijë metra katrorë, përfshirë 17.425 metra katrorë ambient të mbyllur.

“Spitali është përgatitur për vëllezërit shqiptarë me gjashtë salla operacionesh, gjashtë poliklinika, 20 njësi të kujdesit intensiv dhe 130 shtretër shërbimi. Në spital do të ofrojnë shërbime krah për krah gjithsej 387 profesionistë shëndetësorë, përfshirë 331 shqiptarë dhe 56 turq, në 23 degë themelore”, theksoi Erdoğan.

“Ne japim mund për paqen, qetësinë, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit, në krye me Shqipërinë”, tha më tej presidenti turk, duke shtuar se sot miqësisë së thellë shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Turqisë iu shtua një hallkë e re dhe se spitali i Fierit do të jetë një tregues i miqësisë së fortë mes dy vendeve.

Presidenti i Turqisë shprehu ngushëllime për viktimat e koronavirusit (COVID-19) në Shqipëri dhe u uroi suksese të gjithë punonjësve që do të shërbejnë në sptailin e ri në Fier, duke shprehur bindje po ashtu se ky spital do t’i shtojë një pasuri Shqipërisë.

Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi kryeministrin Edi Rama, ministrin turk të Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe firmën e ngarkuar për ndërtimin dhe shtoi se spitali do të marrë pamje edhe më të mirë pas përfundimit të rregullimit mjedisor të tij. /aa