Erdoğan: Nuk ka asnjë pengesë që parandalon zgjatjen e marrëveshjes së drithërave

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se nuk ka asnjë pengesë që parandalon zgjatjen e marrëveshjes historike të eksportit të drithërave, të nënshkruar tre muaj më parë në mes të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nuk ka asnjë pengesë për zgjatjen e marrëveshjes së dërgesave. Këtë e pashë përsëri në bisedën time me Zelenskyy-n mbrëmë dhe në takimin tim me Putin-in. Por ndërkohë, nëse ka ndonjë bllokim, nuk ka asnjë pengesë për ne që ta kapërcejmë”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve rrugës duke u kthyer nga udhëtimi në Azerbajxhan.

Më 22 korrik, Turqia, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Aktualisht, palët po negociojnë një zgjatje të mundshme përtej afatit të 19 nëntorit për të përfshirë eksportet ruse të drithërave dhe plehrave bujqësore.

Erdoğan tha se sipas marrëveshjes deri më tani me më shumë se 8 milionë tonë drithërave ukrainase janë furnizuar tregjet botërore në bordin e 363 anijeve. Ai shtoi se 62 për qind e dërgesave ukrainase kanë shkuar në Evropë, 19,5 për qind në Azi, 13 për qind në Afrikë dhe 5,3 për qind në vendet e Lindjes së Mesme.

Turqia ka qenë në kontakt të ngushtë me Rusinë dhe Ukrainën që nga fillimi i luftës. Presidenti Erdoğan vazhdimisht ka theksuar dëshirën e tij për t’i sjellë së bashku presidentët Putin dhe Zelenskyy në tryezën e bisedimeve në Turqi për t’i dhënë fund luftës.

“Ne nuk jemi të pashpresë. Është shpresa jonë se do të vazhdojmë në rrugën e paqes duke sjellë së bashku të dy liderët”, shtoi ai.