Erdoğan, Putinit: Duhet të vendoset paqe e drejtë pa humbje të mëtejshme të jetëve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin, të cilin e falënderoi për solidaritetin e treguar për tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit që goditën rajonin jugor të Turqisë, raporton Anadolu.

“Presidenti Erdogan falënderoi presidentin Putin për solidaritetin e tij me Turqinë për tërmetet”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Turqisë.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në Kahramanmaraş, goditën 10 provinca të tjera turke: Hatay, Gaziantep, Adıyaman, Diyarbakır, Adana, Kilis, Malatya, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ. Rreth 13,5 milionë njerëz janë prekur nga lëkundjet shkatërruese. Ngushëllimet kanë ardhur nga e gjithë bota, duke shprehur solidaritet me Türkiye-n, ndërsa shumë vende dërguan ekipe shpëtimi dhe ndihmë.

Gjithashtu, duke diskutuar zhvillimet në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, e cila vazhdon në përvjetorin e saj të parë, Erdoğan theksoi “nevojen për arritjen e një paqeje të drejtë për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetëve dhe shkatërrimit”.

“Duke shprehur dëshirën e sinqertë të Turqisë për ringjalljen e marrëveshjes (së drithërave) të arritur në Istanbul, presidenti Erdoğan theksoi se Ankaraja është e gatshme të ofrojë çdo lloj mbështetjeje në këtë drejtim”, thuhet në deklaratë.

Më 24 shkurt 2022 ndodhi një sulm për të cilin autoritetet ukrainase më pas thanë se e dinin se ishte i pashmangshëm të paktën disa ditë më parë, forcat ruse sulmuan Ukrainën nga veriu, jugu dhe lindja e vendit.

Një vit më pas, sipas shifrave të fundit të OKB-së, mbi 8 mijë civilë janë vrarë dhe rreth 13.300 të tjerë janë plagosur në atë që Rusia e cilëson si “një operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Korrikun e kaluar, Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u bllokuan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.