Erdoğan: Sëmundja e armiqësisë ndaj Islamit në Perëndim, po përhapet me shpejtësi ashtu si qelizat e kancerit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se sëmundja e armiqësisë ndaj Islamit në shumë vende të botës po përhapet me shpejtësi ashtu si qelizat e kancerit, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në Simpoziumin e Parë ndërkombëtarë të Medias dhe Islamofobisë, të organizuar me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Radios dhe Televizionit (RTÜK), Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet), TRT, Universitetin Erciyes dhe SETA.

Presidenti turk gjatë fjalimit të tij në simpozium, duke folur për armiqësinë ndaj Islamit që është në rritje, tha se “Sëmundja e armiqësisë ndaj Islamit në shumë vende të botës, veçanërisht në Perëndim, po përhapet me shpejtësi ashtu si qelizat e kancerit”.

Duke folur për atë që ka nxitur armiqësinë ndaj Islamit, Erdoğan tha se: “Strategjia e ‘demonizimit të muslimanëve’ që administrata amerikane e filloi pas sulmeve të 11 shtatorit ka shërbyer si një funksion që nxiti virusin e armiqësisë ndaj Islamit, që tashmë ekzistonte në strukturat kulturore të shumë shoqërive”.

“Ata që vendosin në paranteza të veçanta, sipas tyre, gjenocidin hebre që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, tani i kanë vendosur muslimanët në shënjestër”, u shpreh Erdoğan duke shtuar se është e nevojshme që të gjitha shoqëritë dhe vendet e ekspozuara ndaj kërcënimit të Islamofobisë të formojnë një rrjet komunikimi të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Erdoğan ndër të tjerat theksoi se duhet t’i tregojmë secilit prej mbi 7.5 miliardë njerëzve në botë se armiqësia ndaj Islamit është një kërcënim global e jo Islami. “Atëherë kur bota islame do të vendos unitetin mes tyre, lufta kundër armiqësisë ndaj Islamit do të arrijë rezultat për një kohë të shkurtër”, tha ai. /aa