Erdoğan: Synojmë që brenda 1 viti të fillojmë me dorëzimin e banesave të reja – VIDEO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se synojnë që brenda një viti banesat e shkatërruara nga tërmetet e fuqishme të javës së kaluara të zëvendësohen me të reja dhe të fillohet me dorëzimin e tyre, raporton Anadolu.

Presidenti Erdoğan u lidh nëpërmjet telefonit në fushatën “Turqia Një Zemër”, të transmetuar në 213 televizione dhe 562 radio në Turqia, Qipron Veriore Turke dhe Azerbajxhan, të organizuar për mbledhjen e donacioneve për zonat e prekura.

“Synimi ynë është që brenda 1 viti të fillojmë dorëzimin e banesave të reja në vend të atyre të shkatërruara, ku do të mund të banohet në siguri dhe qetësi”, tha Erdoğan.

Ai tha se tashmë kanë filluar punimet për largimin e rrënojave dhe se nga fillimi i marsit do të nisin rindërtimin duke hedhur themelet e 30 mijë shtëpive në ato zona ku kanë përfunduar punimet paraprake.

Erdoğan falënderoi të gjitha vendet mike që kanë qëndruar pranë Turqisë qoftë me aktivitete kërkimi dhe shpëtimi, por edhe për fushatën e sotme dhe me mesazhe solidariteti.

Ndryshe, mbi 35 mijë njerëz kanë humbur jetën nga tërmetet e 6 shkurtit me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me epiqendër në Kahramanmaraş, nga i cili prekën mbi 13 milionë njerëz në dhjetë provinca turke, përfshirë provincat Hatay, Gaziantep, Adıyaman, Malatya, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndien lëkundjet e forta që goditën Turqinë jugore në interval prej më pak se 10 orësh.