Escobar: Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se është dashur të insistohet më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sesa në afrimin e Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se në disa raste e kemi vrenjtur se ka pasur vullnet nga të dyja palët.

“Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vend se të lehtësonim afrimin e të dyja palëve sepse në disa raste ne kemi vërejtur se ka pasur vullnet në të dyja palët”, tha Escobar në një intervistë për Qendrën e Evropës në Këshillin e Atlantikut.

I pyetur nëse prioritizimi i Asociacionit ka qenë strategjia më efektive, Escobar tha se kjo çështja e zbatimit të Asociacionit është më e vështira.

“Është më i vështiri, prandaj si më i vështiri ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj, kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Escobar.

Duke e parë këtë si një hap vendimtar drejt integrimit evropian, ai ka deklaruar se pranimi i propozimeve evropiane nëpërmjet dialogut do të mundësonte lobimin amerikan për njohje të reja të Kosovës në Bashkimi Evropian.

Escobar tha se zbatimi i Asociacionit është kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe për sigurimin e njohjeve të reja.

“Nga perspektiva amerikane, për shkak se rruga evropiane ka përfshirë pjesë të këtij Asociacioni në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar propozimin evropian, përmes procesit evropian që është dialogu, dhe marrëveshja që është e garantuar nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane, për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar Evropa, prandaj ka arsye për njohje të reja. Pa këtë, le të themi, ne nuk kemi pasur material për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.