Le të marrim disa shembuj nga etika e profetëve dhe e të dërguarve me Allahun e Madhëruar, të reflektojmë mbi gjendjet e tyre me Allahun, mbi mënyrën e të folurit dhe të lutjes së tyre, dhe do të shohim se ato janë të mbushura me etikë, në mënyrë që ata të jenë për ne shembull i mirë, veçanërisht hazreti Muhamedi (a.s), për të cilin Zoti ynë i Lartësuar ka thënë: “Vërtet, ju e keni në të Dërguarin e Allahut shembullin më të mirë, për këdo që shpreson Allahun dhe Ditën e Fundit dhe e përmend Allahun shumë.”
Shembulli i parë: Fjala e Allahut të Lartësuar për Profetin tonë Muhamed (a.s): “Ai nuk e devijoi shikimin dhe as nuk e teproi” Ky është një përshkrim nga Allahu i Lartësuar që tregon etikën e Profetit (a.s) në natën e Israsë dhe Miraxhit, kur ai nuk e ktheu shikimin anash dhe as nuk e tejkaloi atë që iu shfaq; dhe padyshim ky veprim I tij është kulmi i etikës.
Shkelja e kësaj etike do të ishte që shikuesi të kthejë vështrimin djathtas e majtas ose të synojë përtej asaj që i është treguar. Kthimi djathtas e majtas është devijim, ndërsa synimi përtej asaj që të prezantohet për ta parë është tejkalim dhe teprim. Përsosmëria e përqendrimit të shikuesit ndaj asaj që sheh qëndron në atë që ai të mos e largojë shikimin prej saj as djathtas e as majtas dhe të mos e kapërcejë. Kjo ishte gjendja e Profetit (a.s)
Shembulli i dytë: Le të shohim etikën e të Dërguarit të Allahut (a.s) në ditën e Taifit, kur ai u përball me një sprovë të rëndë dhe përjetoi dhimbje të thellë, duke duruar dhe duke shpresuar shpërblimin, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Shqetësimi i tij (a.s) ishte që Allahu të ishte i kënaqur me të dhe që ajo që i kishte ndodhur të mos ishte pasojë e ndonjë zemërimi hyjnor.
Le ta shqyrtojmë me kujdes këtë qëndrim.
Kur kurejshitët e dëmtuan dhe e lënduan Profetin (a.s), ve=anërisht pas vdekjes së Ebu Talibit dhe Hatixhes (r.a), ai (a.s) u nis për në Taif për të kërkuar mbështetje nga fisi Thekif dhe shpresonte që ata ta pranonin atë që ai kishte sjellë nga Allahu i Lartësuar.
Kur i Dërguari (a.s) mbërriti në Taif, ai shkoi tek prijësit e Thekifit, që ishin tre vëllezër: Abd Xhelili, Mes‘udi dhe Habib, bijtë e Amr ibn Umejrit ibn Aufit.
Profeti (a.s) u ul me ta dhe i thirri që ta mbështesnin në Islam dhe ta ndihmonin kundër atyre prej popullit të tij që e kundërshtonin.
Njëri prej tyre i tha: “A do t’i grisë rrobat e Qabes nëse Allahu të ka dërguar ty?” Tjetri tha: “A nuk gjeti Allahu tjetër për të dërguar përveç teje?” Ndërsa i treti tha: “Pasha Allahun, nuk do të flas kurrë me ty! Nëse vërtet je i dërguar i Allahut, ashtu siç thua, atëherë je tepër i madh për të të kthyer përgjigje; e nëse gënjen për Allahun, atëherë nuk më takon të flas me ty.”
I Dërguari (a.s) u ngrit prej tyre, i dëshpëruar nga çdo e mirë që mund të pritej nga Thekifi. Ai u tha: “Nëse veproni kështu, atëherë mos ua tregoni këtë të tjerëve.” Profeti (a.s) nuk dëshironte që kjo t’u arrinte njerëzve të tij.
Ai qëndroi në Taif dhjetë ditë – e sipas disa transmetimeve një muaj – duke mos lënë asnjë nga fisnikët e tyre pa iu afruar dhe pa folur me ta, por ata nuk e pranuan. Madje kishin frikë për të rinjtë e tyre dhe i thanë: “O Muhamed, dil nga vendi ynë.”
Ata nxitën njerëzit e pamend dhe skllevërit e tyre që ta shanin dhe t’i bërtisnin, derisa u mblodh një turmë e madhe. U rreshtuan në dy radhë në rrugë dhe, kur Profeti (a.s) kaloi mes tyre, nuk i ngrinte e as nuk i ulte këmbët pa e goditur me gurë, derisa ia gjakosën këmbët. Zejd ibn Harithe (a.s) e mbronte me trupin e tij, derisa u plagos rëndë në kokë.
Kur u shpëtoi atyre dhe këmbët i rridhnin gjak, u fut në një kopsht dhe u strehuan nën hijen e një hardhie. Ishte i pikëlluar dhe i lënduar. Në atë kopsht ishin Utbe dhe Shejbe, bijtë e Rabias. Kur i pa, nuk i pëlqeu vendi, ngaqë e dinte armiqësinë e tyre ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s). Kur u qetësua nën hijen e hardhisë, Profeti (a.s) tha lutjen e njohur:
“O Allah, Ty të ankohem për dobësinë e fuqisë sime, për mungesën e mjeteve të mia dhe për poshtërimin tim te njerëzit. O Më i Mëshirshmi i mëshiruesve! Ti je Zoti i të dobëtëve dhe Ti je Zoti im. Në dorë të kujt po më dorëzon? Një të largëti që më vrenjtet, apo një armiku të cilit ia ke dhënë pushtetin mbi mua? Nëse nuk je i zemëruar me mua, nuk më brengos asgjë, por mirëqenia Jote është më e gjerë për mua. Kërkoj strehim te drita e Fytyrës Tënde, me të cilën ndriçohen errësirat dhe përmirësohen punët e kësaj bote dhe të botës tjetër, që të mos më zbresësh zemërimin Tënd dhe të mos më përfshish me hidhërimin Tënd. Ty të takon falënderimi derisa të kënaqesh, dhe nuk ka forcë e as fuqi përveçse me Ty.”
Dikush mund të pyesë: pse ankesa atëherë? A nuk tregojnë fjalët e këtij duaje lodhje dhe mërzi nga përpjekjet e gjata që nuk sollën veçse dhimbje?
Përgjigjja është se ankesa te Allahu është adhurim; përulja dhe lutja në pragun e Tij janë afrimitet dhe bindje; ndërsa lutja e vazhdueshme është thelbi i robërisë. Ndërsa ndjenja e dhimbjes dhe lotët për fatkeqësitë janë diçka tjetër, sepse njeriu, sado i lartë të jetë, mbetet qenie njerëzore: zemra pikëllohet dhe syri loton, sepse ato janë të ndikuara, jo vepruese. Allahu thotë: “Ai është që bën të qeshësh dhe të qash.”
Në hadith thuhet: “Zemrat e bijve të Ademit janë mes dy gishtave të Mëshiruesit, Ai i kthen si të dojë.” Pastaj Profeti (a.s) tha: “O Ti që i kthen zemrat, ktheji zemrat tona në bindjen (fenë) Tënde.”[1]
Pas sprovave dhe fatkeqësive fshihen urtësi të mëdha: shfaqja e robërisë, dallimi mes të mirës dhe të keqes, shlyerja e gjynaheve, ngritja në grada dhe qëndrimi i robit në pragun e Zotit të tij. Nuk ka mospërputhje mes durimit në sprova dhe ankesës te Allahu.
Profeti (a.s) i mësonte umetit, veçanërisht thirrësve, dy gjëra: durimin në sprova dhe mënyrën e qëndrimit para Allahut me lutje dhe përulje. Nga etika e tij (a.s) është fjala: “Nëse nuk je i zemëruar me mua, nuk më brengos asgjë”, që tregon kënaqësinë e plotë me Allahun, pavarësisht çmimit; por edhe mësimi që të mos e kërkojmë sprovën, sepse robi është i dobët, prandaj tha: “Por mirëqenia Jote është më e gjerë për mua.”
Shembulli i tretë: Në ditën e Bedrit, Profeti (a.s) i siguronte shokët e tij për ndihmën e Allahut dhe u tregonte vendet ku do të binin armiqtë. Natën para betejës, ai (a.s) u lut me përgjërim duke thënë: “O Allah, këta janë Kurejshët me krenarinë dhe mendjemadhësinë e saj; po të sfidon Ty dhe po e përgënjeshtron të Dërguarin Tënd. O Allah, shkatërroji nesër!”[2]
Edhe pse ishte i bindur në premtimin e Allahut, ai (a.s) qëndronte me përulje të plotë, sepse e dinte se Allahu bën çfarë të dojë dhe se robi nuk ka pjesë në vendim përveç të qenurit rob i Allahut.
Shembulli i katërt: Në ditën e Hunejnit, Profeti (a.s) u dha më shumë nga plaçka e luftës atyre që duhej t’u zbuteshin zemrat. Disa nga ensarët u ndjenë të prekur. Profeti (a.s) i mblodhi dhe u foli me një fjalim të thellë, duke ua kujtuar se gjithçka ishte nga Allahu, jo nga ai vetë, dhe se shpërblimi i tyre më i madh ishte shoqëria me të (a.s).
Shiko etikën e Profetit (a.s) me Allahun: ai nuk ia atribuoi vetes asgjë, por ia atribuoi çdo mirësi Allahut të Lartësuar, edhe pse Allahu i kishte thënë: “Ti vërtet udhëzon në rrugën e drejtë.”
Sa e bukur është kjo etikë me Allahun: që robi të mohojë fuqinë e vet dhe ta lidhë gjithçka me fuqinë e Allahut!
Lusim Allahun e Lartësuar të na nderojë me këtë etikë, të na bëjë falënderues në begati, durimtarë në sprova, të mos largohemi nga pragu i robërisë ndaj Tij dhe të mohojmë fuqinë tonë për t’u mbështetur vetëm në fuqinë e Tij. Amin.
Autor: Ahmed Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Muslimi.
[2] – Bejhakiu.







