Tre muaj terror në rrugët e një qyteti meksikan
Udhëtimi në bulevardin Atlixcáyotl, rruga kryesore e Pueblas në Meksikë, u kthye në një makth të vërtetë për banorët.
Për të paktën tre muaj, Rafael Zabalza, një farmacist spanjoll 65-vjeçar, mbolli terror duke qëlluar pa asnjë shkak apo shënjestër të përcaktuar mbi shoferët që kalonin aty pranë.
Brenda kësaj periudhe, ai sulmoi të paktën 11 shoferë makinash dhe një motorist në Angelópolis, lagjen më të pasur dhe më ekskluzive të qytetit.
Pas javësh të tëra hetimesh intensive, zyra e prokurorit arriti të lokalizonte pronën e tij në korrik të vitit 2026.
Kur policia mbërriti për ta arrestuar, Zabalza i priti oficerët me të shtëna armësh, por u vu në pranga pas një aksioni të shpejtë, duke u sekuestruar së bashku me një arsenal të tërë luftarak.
Sipas autoriteteve, Zabalza largohej nga shtëpia e tij në zonën luksoze të Santa Fe i armatosur, hipte në një kamionçinë të bardhë GMC Denali pa targa dhe qarkullonte nëpër bulevard për të kryer sulmet.
Ngjarjet ndodhnin në orare të ndryshme dhe pa asnjë model të rregullt, çka e vështirësoi punën e hetuesve për javë të tëra.
Sulmet e para nisën që në prill, por fillimisht viktimat nuk guxonin të denonconin nga frika. Policia ra në gjurmët e tij kryesisht përmes videove me makina të shpuara nga plumbat që qarkullonin në rrjetet sociale.
Frika u përhap me shpejtësi në qytet, ndërsa banorët filluan të paralajmëronin njëri-tjetrin për praninë e një “snajperisti misterioz”.
Kthesa erdhi në qershor, kur një i ri i plagosur me armë zjarri bëri denoncimin e parë zyrtar. Hetuesit përdorën teknologjinë tredimensionale El Faro për të rindërtuar trajektoret e plumbave dhe distancat e të shtënave, duke zbuluar se të gjitha incidentet lidheshin me të njëjtin autor.
Gjatë aksionit të arrestimit në orët e para të mëngjesit, agjentët bastisën dy banesa të lidhura me të dyshuarin. Në shtëpinë e parë, pasi hapi zjarr ndaj policisë dhe dëmtoi një patrullë, Zabalza u prangos.
Gjatë kontrolleve në pronat e tij u sekuestruan: një pistoletë gjysmë-automatike, një pushkë dhe një çifte, mbi 550 fishekë të kalibrave të ndryshëm (disa për përdorim ekskluziv ushtarak), kamionçina e bardhë GMC Denali pa targa, pajisje elektronike dhe rreth 800.000 pesos në para të gatshme.
Zabalza ishte një biznesmen i njohur në sektorin farmaceutik, pa precedentë penalë dhe i angazhuar në projekte akademike përmes shoqatës civile ITEBIO.
Ironia më e madhe e rastit doli në dritë pas arrestimit, kur në rrjetet sociale qarkulloi një intervistë e vjetër ku ai promovonte me pasion një turne dominoje.
“Është një mënyrë për të bërë miq, për të nxitur shoqërinë dhe për të përcjellë vlera e parime si miqësia, besnikëria dhe loja e ndershme”, thoshte ai në video.
Ndërsa në jetën publike promovonte këto vlera qytetare, në fshehtësi ai terrorizonte një qytet të tërë me gjakftohtësinë e një snajperisti.
Prokuroria po vazhdon hetimet për të parë nëse ai lidhet edhe me sulme të tjera të ngjashme të kryera në të njëjtën zonë që nga viti 2023. \tesheshi






