
UNICEF ka ngritur alarmin se fëmijët në mbarë Ukrainën po përballen me një dimër gjithnjë e më të rëndë, pasi sulmet e intensifikuara ndaj infrastrukturës së energjisë dhe ujit kanë lënë miliona familje pa ngrohje, energji elektrike dhe shërbime bazë.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Ukrainë, Munir Mammadzade, deklaroi në Gjenevë se situata ka arritur një pikë kritike, ndërsa temperaturat kanë zbritur nën zero. “Fëmijët në Ukrainë janë nën zjarr dhe po ngrijnë. Ky është dimri më i vështirë i luftës,” tha ai, duke e përshkruar gjendjen si “një krizë brenda krizës”.
Sipas tij, në Kiev temperaturat kanë rënë deri në -15 gradë Celsius dhe pritet të bien edhe më tej, ndërsa ndërprerjet e energjisë kanë lënë familjet për ditë të tëra pa ngrohje, ujë dhe drita. “Familjet dhe fëmijët janë në një gjendje të vazhdueshme mbijetese,” theksoi Mammadzade, duke shtuar se jeta në pallate është kthyer në luftë për t’u mbrojtur nga sulmet dhe për t’i mbijetuar të ftohtit ekstrem.
UNICEF paralajmëron se dimri dhe sulmet e vazhdueshme kanë zhvendosur rrezikun humanitar edhe në qendrat urbane, përfshirë kryeqytetin. Organizata po mbështet hapësira emergjente ku familjet mund të ngrohen, të marrin ushqim të nxehtë, të karikojnë pajisjet dhe të marrin mbështetje psikosociale.
“Errësira dhe temperaturat e ulëta rrisin frikën dhe stresin, duke përkeqësuar shëndetin fizik dhe mendor,” tha Mammadzade, duke paralajmëruar se hipotermia është një rrezik serioz, veçanërisht për foshnjat e porsalindura. Deri tani nuk janë raportuar vdekje të fëmijëve nga të ftohtit, por rreziku mbetet i lartë.
Edhe arsimi është prekur rëndë, pasi shumë shkolla janë detyruar të kalojnë online, ndërkohë që ndërprerjet e energjisë lënë fëmijët pa lidhje interneti. UNICEF aktualisht po ndihmon 1.65 milionë persona, përfshirë 470 mijë fëmijë, përmes ndihmës dimërore, gjeneratorëve, mbështetjes financiare dhe ndihmës për shkollat.
Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe paralajmëroi për mungesa serioze fondesh. Sipas përfaqësueses së saj në Ukrainë, Jaime Wah, vetëm në Kiev rreth 200 mijë persona janë pa ngrohje dhe energji për më shumë se një javë. Ajo tha se mungesa e fondeve po e çon shumë familje në pikën e thyerjes, ndërsa shtatë në dhjetë persona nuk kanë më kursime dhe detyrohen të zgjedhin mes ngrohjes, ushqimit dhe kujdesit shëndetësor.
Apeli financiar i IFRC-së për Ukrainën është mbuluar vetëm 13 për qind për vitet 2026–2027, duke lënë një boshllëk prej mbi 325 milionë dollarësh. “Miliona njerëz rrezikojnë të mbeten pa ndihmë jetike gjatë muajve më të ftohtë të vitit,” paralajmëroi Wah. /mesazhi






