Femra, bota e saj dhe të drejtat që ia dha Zoti…

Derisa unë shkruaj për femrën, për botën e saj, për të drejtat që ia dha Zoti, për mbrojtjen e saj, del pikërisht kjo femra pyet:
Ç’vuajtje dhe mund paska sot në ditë modernizimi?
I them, pse vuajtje e konsideron vetëm të piqet buka me saç ë?
Vuajtje është vetëm të lahen robat dhe enët në dorë?
Vuajtje dhe mundim na qenka vetëm të jetosh me një shtëpi jo aq luksoze ë?
Jo, jo vuajtje është diçka tjetër.
Dhimbje e vuajtje është moskonsiderata që merr nga tjerët si nuse.
Vuajtje është të mos respektohesh e as të mos nderohesh si e shkolluar që e bëre me shum mund te prindërit e tu!
Mosvlerësim dhe nënçmim është kur burri del me shokë vazhdimisht dhe ty të len të rrish me prindërit e tij, madje nëse ankohesh se mërzitesh, të thotë që “shpinë e ke plot”!
Vuajtje është kur ai rrin në kafe natën deri vonë dhe nuk vjen afër teje.
Ulje është kur atij si intereson për lodhjen tënde me fëmijë, për pagjumësinë tënde dhe sta qanë hallin.
Nënçmim është kur familja e burrit ftojnë mysafirë kur të duan pa të konsideruar asnjë plan tëndin, ndërsa ti je e detyruar t’u shërbesh se je nuse.
Çdoherë ka pasë dhe ka kategori të ndryshme, nuk futen gjitha në një thes, por ka shumë punë që duhet t’i ndryshojmë si popull, punë të cilat nuk përputhen aspak me ligjet, normat dhe të drejtat që na dha Zoti.
E ti motër, aman nëse je aq e lumtur me jetën tënde, nëse ti je rehat dhe mirë gëzohem, por unë sado e lumtur që të jem nuk do hesht së shkruari derisa shumë motra vuajnë nga padrejtësitë që u bëhen.
Nëse ti je krenare me kurorë në kokë, mos harro ka shumë femra që flejnë me lot në sy, ka shumë bija që sjanë duke shijuar jetën si ti dhe ka shumë që vdesin dhe ne nuk ua njohim shkakun.
Lutja jonë është që të vetëdijesohemi, të na përmirësojë Zoti gjendjen dhe të bëj të lumtur çdo femër.

Emine Bajrami