Fidan: Mohimi i ekzistencës dhe të drejtave të palestinezëve nuk do të sjellë paqe në Izrael

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, tha se mohimi i ekzistencës dhe të drejtave të palestinezëve nuk do të sjellë paqe në Izrael, raporton Anadolu.

“Izraeli duhet të bëjë një zgjedhje. Mohimi i ekzistencës dhe të drejtave të palestinezëve, aplikimi i presionit dhe shtypjes, nuk ka sjellë paqe në Izrael dhe nuk do të sjellë paqe”, tha Fidan në një konferencë për media në kryeqytetin Ankara së bashku me homologun e tij danez, Lars Lokke Rasmussen.

“Ata që heshtin përballë vrasjes së civilëve të pafajshëm në Gaza dhe ata që mbështesin pa kushte krimet e Izraelit bëhen bashkëpunëtorë në këtë shtypje”, shtoi ai.

Duke cituar fjalët e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Fidan tha se i gjithë njerëzimi qëndron në një udhëkryq në Gaza.

“Ose një luftë do të përhapet në botë, ose një paqe do të shfaqet e madhe. Preferenca e Turqisë është për paqen”, shtoi ai.

Ministri Fidan tha se nëse Izraeli dëshiron të jetojë në paqe dhe siguri, duhet të respektojë të drejtën e palestinezëve për të jetuar në tokën e tyre.

“E vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen është krijimi i një shteti të pavarur, sovran palestinez me integritet gjeografik, me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967”, tha Fidan.

Ai shtoi se Turqia rekomandon që aktorët e jashtëm të mos bëhen bashkëfajtorë në krimet e kryera nga Izraeli nën maskën e solidaritetit.

Gjatë konferencës së tij për media me Rasmussen-in, Fidan vuri në dukje disa dallime në qëndrimet e tyre ndaj terrorizmit.

Fidan tha se Turqia e konsideron si terroriste YPG-në, krahun sirian të PKK-së, si dhe Organizatën Terroriste FETO, grupin që qëndron pas grushtit të shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi, por vendet e tjera nuk i konsiderojnë këto si terroriste.

“Ne e informuam Rasmussen-in se nuk e konsiderojmë Hamasin, i cili është pjesë e shtetit palestinez dhe një parti politike brenda sistemit shtetëror, një organizatë terroriste”, shtoi Fidan.

Duke theksuar se kjo nuk nënkupton pranimin e vrasjes së civilëve, Fidan tha: “Përkundrazi, ne kemi deklaruar që në fillim se e dënojmë atë”.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumanshëm që përfshinte lëshime raketash dhe depërtime në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm në Rripin e Gazës.

Të paktën 8.700 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë mbi 7.300 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.