Filipine, muslimanët Moro votojnë në referendumin historik

Muslimanët Moro që jetojnë në jug të Filipineve, votojnë në referendumin për të ratifikuar Ligjin Organik Bangsamoro (BOL), i cili do të ndikojë në ardhmërinë e tyre duke u dhënë autonomi gjithëpërfshirëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Në referendumin në të cilin pritet të votojnë rreth 3 milionë votues, muslimanët Moro u drejtuan nëpër shkollat ku po votohet pas kontrollit të sigurisë.

Në mbarë qytetin ushtria dhe policia janë duke zbatuar masa të mëdha sigurie, ndërsa popullata shmanget të flasë për gazetarët.

Cynthia Guiani-Sayadi, kryebashkiakja e qytetit Cotabato, e cila gjatë fushatës së referendumit mbështeti palën “kundër”, kundërshton votimin e BOL-it dhe përfshirjen e qytetit në rajonin që do të formohet.

Vetëm në qytetin Cotobato pritet që të votojnë 110 mijë votues.

Votimi ka filluar në ora 07:00 me kohën lokale, ndërsa do të përfundojë në ora 15:00.

– Me rregulloren e re do të themelohet qeveria autonome Bangsamoro

Me ligjin i cili u siguron autonomi gjithëpërfshirëse muslimanëve Bangsamoro, të cilin presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, e nënshkroi korrikun e kaluar, parashikohet që t’i rriten përfitimet ligjore dhe ekonomike të muslimanëve të rajonit.

Ligji mundëson që në disa rajone të shtetit Mindanao dhe në ishujt përreth t’u jepet një autonomi më gjithëpërfshirëse nga autonomia aktuale.

Me rregulloren e re do të themelohet qeveria autonome Bangsamoro. Do të mund të hapen gjykata ku mund të zbatohen dispozita të sheriatit në lidhje me liritë fetare në rajon.

Administrata qendrore, kompetencat administrative në Mindanao do t’ia transferojë qeverisë Bangsamoro.

Ujërat e brendshme në rajonin Bangsamoro do të administrohen njëkohësisht me qeverinë kombëtare. Qeveria autonome do të nxjerrë dhe administrojë burimet energjetike.

Gjithashtu edhe ish-luftëtarë të Frontit Kombëtar për Çlirimin e Muslimanëve Moro (MNLF) dhe Frontin Islam Çlirimtar Moro (MILF) do të mund të marrin pjesë në forcat e zbatimit të ligjit.