Fillon seanca e Kuvendit ku kryeministri Hoti do të raportojë para takimit të Uashingtonit

Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku pritet të shqyrtohen një numër i madh i pikave të rendit të ditës.

Deputetët do të shqyrtojnë projektligjet që kanë të bëjnë me ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Në rend dite për shqyrtim janë edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Fiskalis 2020”.

Një pikë e nxehtë debati pritet të jetë ajo e interpelancës së kryeministrit Hoti në seancën e re plenare në ora 11:00, dhe raportimi para deputetëve lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast do të ketë debat të gjerë parlamentar.

Në anën tjetër, një takim midis kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është paralajmëruar të ndodh sot në ora 11:30.