Fitore e pastër e Llapit ndaj Ferizajt – kompletohen skuadrat çerekfinaliste në Kupën e Kosovës

Është zhvilluar ndeshja e fundit në kuadër të 1/8 së finales në Kupën e Kosovës.

Llapi ka marrë një fitore të pastër në udhëtim te Ferizaj me rezultat 0-2.

Në fakt mysafirët e siguruan fitoren për nëntë minuta në pjesën e parë kur realizuan dy gola.

Ishte minuta e 30-të e ndeshjes, kur llapjanët fituan penallti të cilën në gol e shëndërroi Alban Shillova për 0-1.

Vetëm nëntë minuta më vonë, Kastriot Selmani u gjet bukur në zonë dhe me një goditje precize shënoi për 0-2.

Në pjesën tjetër të ndeshjes, Llapi arriti të luante me kujdes duke u mbrojtur mirë dhe pa shpenzuar shumë energji.

Kësisoj skuadra e Tahir Batatinës bëhet skuadra e fundit që kalon në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

Ekipet e kualifikuara në çerekfinale:

Drita, Prishtina, Ballkani, Gjilani, Ulpiana, Llapi, Ramiz Sadiku dhe Onix.

Shorti për duelet çerekfinale të Kupës së Kosovës do t’i tërhiqet të enjten me fillim nga ora 13:00 në ambientet e FFK-së.