Flet ministri i FSK-së pas gjetjes së trupit të Armend Trenës

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha ka folur pas gjetjes së trupit të pajetë të Armend Trenës në lumin Lepenc, përkatësisht në kilometrin e 6-të (në hyrje të Hanit të Elezit) në orën 16:50.

Berisha në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se trupi i pajetë i policit Trena i është dorëzuar organeve përkatëse.

Ai po ashtu ka theksuar se të gjithë njësitet e shpëtim- kërkimit janë kthyer në kazermë për të vazhduar me punën e tyre aty ku e kanë lënë.

Tutje, Berisha ka përgëzuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aksion duke përfshirë ata në ujë e në mal si dhe zjarrfikësit dhe shumë të tjerë.

Po ashtu i pari i FSK-së ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e Malsor Dashit dhe Armend Trenës, pas fatkeqësisë që iu ndodhi.

Rikujtojmë se policët Armend Trena e Malsor Dashi pësuan aksident mbrëmjen e së shtunës së 28 prillit në rrugën Kaçanik-Hani Elezit, kur po lëviznin me veturën zyrtare të policisë dhe ranë në lumin Lepencë prej një lartësie mbi 100 metra.