Fluks i kalimeve mes Meksikës dhe SHBA-së

Migrantët janë ngutur të kalojnë kufirin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës para se të skadonin masat e ndalimit të azilit shkaku i pandemisë.

Ata janë frikësuar se ligjet e reja do ta bëjnë edhe më të vështirë hyrjen në SHBA.

Me qëllim që të lironin qendrat e mbajtjes, agjentët e patrullave kufitare janë urdhëruar që të lirojnë disa migrantë duke u thënë që të paraqiteshin në zyrat e migracionit të SHBA-së brenda 60 ditëve.

Administrata e presidentit Joe Biden ka prezantuar masat për të zëvendësuar vendimin e njohur si Title 42 që suspendoi të drejtën e azil-kërkimit në SHBA që prej marsit të vitit 2020 nën arsyen për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Departamenti amerikan i Sigurisë ka prezantuar ligjin e ri me të cilin do të jetë shumë e vështirë për çdonjërin që udhëton nga shtetet e tjera, si Meksika, për t’u kualifikuar për azil në SHBA.

Shumë prej migrantëve që kanë kaluar lumin që ndan Meksikën me SHBA-në, menjëherë u janë dorëzuar autoriteteve me shpresën se rastet e tyre do të miratohen në gjykatat e migracionit.

Patrullat kufitare të SHBA-së vetëm të martën kanë ndaluar 10 mijë migrantë.

Ky numër është dyfishuar brenda javës, pasi, sipas autoriteteve, çdo ditë janë ndaluar nga 5 mijë migrantë.

Deri të enjten, në qendrat e mbajtjes ishin 27 mijë persona, ndërkaq në muajin mars mbaheshin vetëm 8 mijë e 600.

Agjentët e Patrullave Kufitare janë urdhëruar që të lirojnë migrantët nga të gjithë sektorët që kanë arritur në 125 për qind të kapacitetit. /koha