Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur vizitën në Prishtinë, të zhvilluar në datat 30 maj – 5 qershor. Në fokus të agjendës ishin zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektiva ekonomike e Kosovës.
FMN pret që rritja këtë vit të jetë në nivelin 4%, ndërkohë që vlerëson sektorin bankar si të mirë-kapitalizuar, likuid dhe me përfitime.
Megjithëse perspektiva afatshkurtër mbetet pozitive, misioni argumenton se rreziqet fiskale janë rritur.
“Misioni këshilloi të mos vazhdojnë përpara me projektligjin aktual të kompensimit të mësuesve, për shkak të kostove të mëdha fiskale direkte dhe indirekte, të cilat do të rëndojnë buxhetin për shumë vite dhe do t’i zënë vendin shpenzimeve të tjera prioritare”, thuhet në deklaratën e FMN.
Sa i takon reformave për veteranët e luftës, FMN shprehet se ato duhet të avancojnë, por ndërkohë nuk duhet të prezantohen programe të reja me përfitime shoqërore. Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes edhe me ristrukturimin e sektorit publik, për të minimizuar rreziqet. Misioni këshilloi që reforma në administratën publike të hartohet mbi bazën e ligjit për kufizimin e pagave.
Sa i takon sektorit privat, reformat strukturore mbështetëse duhet të përshpejtohen për të arritur një rritje më të fortë dhe të qëndrueshme ekonomike, të reduktojë hendekun e pagave me pjesën tjetër të Evropës dhe të adresojë papunësinë e lartë.