Harroi vendimin e Hagës dhe u ankua për protestuesit
Foltorja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka shërbyer historikisht si një skenë ku liderët e botës shpalosin vizione gjeopolitike, shtrojnë sfida globale apo mbrojnë interesat madhore të kombeve të tyre.
Por në fjalimin e djeshëm, Kryeministri Edi Rama e shndërroi këtë tribunë elitare në një lloj autoterapie publike për ankthet e tij vetjake mbi pushtetin.
Siç e thotë me të drejtë proverbi i lashtë “Gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi”, për Ramën, “dhëmbi” që prej muajsh pulson nga dhimbja është reagimi qytetar.
Kryeministri e shfrytëzoi këtë mundësi të përvitshme jo për t’i folur botës për Shqipërinë, por për t’u ankuar për lëvizjen popullore, e cila prej më shumë se katër muajsh, ja ka tronditur thellësisht themelet e pushtetit.
Dhe në vend që të reflektonte mbi arsyet e kësaj pakënaqësie gjithëpërfshirëse, Rama zgjodhi një taktikë sa absurde, aq edhe qesharake: u përpoq të paraqitej si viktimë e Inteligjencës Artificiale.
Duke iu bashkuar korit të madh ndërkombëtar që po diskuton me të drejtë mbi përfitimet dhe rreziqet serioze që IA-ja mbart për njerëzimin, ai u rrek të maskonte dobësinë e tij administrative pas një retorike teknologjike bashkëkohore.
Gënjeu paturpësisht para botës kur pretendoi se qindra mijëra shqiptarë, brenda vendit dhe në diasporën e shtrirë anembanë globit, janë ngritur kundër tij si pasojë e “mashtrimit të algoritmeve”.
Kjo përpjekje për ta zvogëluar revoltën e natyrshme të një populli të lodhur në nivelin e një manipulimi dixhital, është jo vetëm një fyerje për inteligjencën e qytetarëve, por edhe një dëshmi e shkëputjes së tij totale nga realiteti.
Shqiptarët nuk po mbushin sheshet për shkak të algoritmeve. Apo po protestojnë për shkak të kapjes së shtetit, korrupsionit të nivelit të lartë dhe pamundësisë për të ndërtuar një të ardhme në atdheun e tyre.
Po ashtu, Rama u përpoq me dëshpërim të bindte audiencën në sallën qendrore të OKB-së se alarmi publik për pushtimin dhe tjetërsimin e tokave nga oligarkia financiare dhe interesat gjeopolitike – veçanërisht për kapjen dhe uzurpimin e pikave strategjike të vendit nga izraelitët – nuk është gjë tjetër veçse një “komplot joekzistent”, i ushqyer nga “narrativa antisemite”.
Përmes këtij truku të konsumuar retorik, Rama u përpoq të përdorë kartën e ndjeshme të antisemitizmit, si një mburojë moralizuese për të mbuluar shitjen e tokës dhe pasurive kombëtare te bizneset dhe kapitali izraelit.
Gjithsesi, ryeministri e di fort mirë se pushtimet e shekullit XXI nuk zhvillohen më me mjetet e luftës klasike. Sot nuk është e nevojshme të bombardohesh me dronë apo me artileri të rëndë, siç po ndodh tragjikisht në Ukrainë apo në Gaza, për të humbur sovranitetin.
Përkundrazi, pushtimet më fine dhe më tinëzare janë ato të heshturat. Ato realizohen përmes uzurpimit sistematik të pikave nevralgjike të ekonomisë, shitjes së pasurive kombëtare për përfitime të çastit politik dhe asfiksimit të çdo hapësire jetike për biznesin dhe sipërmarrjen vendase.
Faktet për këtë tjetërsim ekonomik e territoriale janë të shumta dhe qasjeje, të pakundërshtueshme. Përmes oligarkisë financiare dhe vendimeve klienteliste, shqiptarët po shpronësohen ditë pas dite, duke u bërë të ndihen emigrantë dhe të huaj në tokën e tyre të lindjes.
Edhe më e rëndë ishte heshtja e Ramës për Kosovën dhe dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Në fjalimin e tij në OKB, ai nuk tha asnjë fjalë për luftën çlirimtare të Kosovës apo për vendimin e Hagës, duke lënë një shije të keqe sidomos në Prishtinë.
Pra fjalimi i tij në OKB la përshtypjen e një autoterapie, ku një kryeministër që duhej t’i fliste botës për Shqipërinë, zgjodhi t’i hapej vetëm për shqetësimet e veta.
Dhe pas fjalëve të mëdha mbi inteligjencën artificiale dhe teoritë e konspiracionit fshihej dukshëm ankthi i një pushteti që ndien se po i rrëshqet toka nën këmbë. \tesheshi





