“Forca e rezistencës sonë varet nga mbështetja e botës arabe”

Zëvendëspresidenti i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) Mahmud el-Alul tha se qeveria e Palestinës ka një sërë masash për ta mbrojtur Kudsin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Alul, në një deklaratë për televizionin publik palestinez dha informacione për masat që do të merren kundër vendimit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit.

Ai tha se në mesin e masave janë shkuarja në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale si dhe përpjekja që çështja e Palestinës të bëhet një nga prioritetet e OKB-së.

Duke vënë në dukje se reagimi i Palestinës ndaj vendimit të SHBA-ve do të jetë i fuqishëm, Alul tha se “Forca e rezistencës sonë varet nga mbështetja e dhënë nga bota arabe”.

Alul shtoi se qeveria e Palestinës do t’i rishikojë marrëdhëniet me Izraelin dhe se do të vazhdojë përpjekjet për realizimin e pajtimit palestinez.

Presidenti amerikan Trump në një konferencë për media të mbajtur më 6 dhjetor lëshoi një vendim për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, që shkaktoi reagime të ashpra në mbarë botën.

Trump tha gjithashtu se ai kishte urdhëruar tashmë zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds.