Forcat izraelite plagosën 7 palestinezë dhe arrestuan 12 të tjerë në Bregun Perëndimor

Shtatë palestinezë janë plagosur dhe 12 tjerë janë arrestuar në bastisjet e kryera nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga burime lokale, forcat izraelite bastisën pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor, veçanërisht qytetet Jericho dhe Jenin.

Ushtarët bastisën kampin e refugjatëve Aqaba Jabr në qytetin e Jerichos dhe kontrolluan shumë shtëpi. Ndërkohë, mes banorëve të rajonit dhe ushtarëve izraelitë ka ndodhur një përplasje. Forcat izraelite ndërhynë ndaj palestinezëve me plumba gome dhe gaz lotsjellës, si dhe me municion të vërtetë.

Në deklaratën e bërë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, thuhet se 6 personat e plagosur nga plumbat e vërtetë në Aqaba Jabr pas ndihmës së parë janë transferuar në Spitalin Shtetëror të Jerichos për mjekim.

Forcat izraelite plagosën gjithashtu një palestinez me plumba të vërtetë në bastisjen në fshatin Kefr Dan në Jenin. Thuhet se automjeti i një palestinezi u hodh në erë gjatë bastisjes.

Në një deklaratë me shkrim të bërë nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë, thuhet se forcat izraelite gjatë bastisjeve të tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar arrestuan 4 persona në fshatin Kefr Dan, 6 persona në Ramallah dhe 2 persona në Jalkiya.

Forcat izraelite, të cilat bastisin shpesh shtëpitë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, arrestojnë palestinezë me akuza të ndryshme. Herë pas here shpërthejnë përleshje mes banorëve palestinezë dhe ushtarëve izraelitë, të cilët reagojnë ndaj bastisjeve.