Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Forcat izraelite vrasin nëntë palestinezë në Gaza dhe godasin Libanin jugor

Forcat izraelite vrasin nëntë palestinezë në Gaza dhe godasin Libanin jugor

Forcat izraelite kanë vrarë të paktën nëntë palestinezë në sulme të reja në Gaza, sipas burimeve mjekësore, ndërsa kanë kryer edhe disa goditje ajrore në jug të Liban.

Burime nga spitali Nasser thanë se pesë persona u vranë në jug të qytetit Khan Younis, në një zonë përtej të ashtuquajturës “vija e verdhë”, ku janë të dislokuara trupat izraelite. Katër palestinezë të tjerë humbën jetën pasi u godit një tendë e të zhvendosurve në zonën al-Faluja, në veri të Gazës, sipas spitalit al-Shifa.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli për këto vrasje. Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur një ndërtesë në veri të Gazës pasi, sipas saj, luftëtarë të armatosur kishin hyrë aty, duke thënë se të paktën dy prej tyre u vranë. Ajo shtoi gjithashtu se vrau një person tjetër që, sipas pretendimit, kishte kaluar “vijën e verdhë” dhe përbënte kërcënim të menjëhershëm.

Në Liban, ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur depo armësh të përdorura nga grupi i armatosur Hezbollah në jug të vendit. Nuk pati reagim të menjëhershëm nga autoritetet libaneze.

Sipas autoriteteve në Gaza dhe Liban, sulmet izraelite kanë vazhduar pothuajse çdo ditë, pavarësisht marrëveshjeve për armëpushim. Në Gaza, thuhet se armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA është shkelur mbi 1,500 herë që nga 10 tetori, me qindra të vrarë dhe mijëra të plagosur.

Situata humanitare në Gaza mbetet kritike, me kufizime të rënda për hyrjen e ushqimit, ilaçeve dhe materialeve të strehimit për rreth 2 milionë banorë, shumica të zhvendosur.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rindërtimi i Gazës mund të kushtojë mbi 70 miliardë dollarë. Në Liban, OKB-ja raporton se që nga armëpushimi janë regjistruar dhjetëra viktima civile dhe raste rrëmbimi të civilëve nga forcat izraelite. /mesazhi