Forcat polake dhe emigrantët përleshen në kufirin me Bjellorusinë

Forcat kufitare polake të martën thanë se u sulmuan me gurë nga emigrantët në kufirin me Bjellorusinë dhe u përgjigjën duke përdorur topa uji kundër tyre.

Agjencia e Gardës Kufitare postoi një video në Twitter që tregon një top uji duke u drejtuar përtej kufirit ndaj një grupi emigrantësh në një kamp të improvizuar.

Policia polake tha se një oficer u plagos rëndë kur emigrantët hodhën objekte. Ai u dërgua me ambulancë në spital dhe ka të ngjarë që kafka e tij të jetë thyer pasi u godit nga një objekt.

Situata shënon një përshkallëzim në një krizë të tensionuar migracioni dhe politike kufitare, ku jetët e mijëra emigrantëve janë në rrezik.

Kufiri është gjithashtu pjesë e kufirit lindor të Bashkimit Evropian dhe BE-ja akuzon regjimin autoritar të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për orkestrimin e një krize migracioni në kufi për të bërë presion mbi bllokun, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Një numër i madh emigrantësh ndodhen tani në kufi, ku emigrantët kanë ngecur në një kamp të improvizuar me temperatura që bien deri në ngrirje gjatë natës.

Shumica po ikin nga konflikti, varfëria në Siri dhe Irak dhe shpresojnë të arrijnë në Gjermani ose gjetkë në Evropën Perëndimore. Deri më tani ka pasur raporte për 11 vdekje.