Ballina Artikuj Formimi i burrave

Formimi i burrave

Ragib Serxhani

Më parë kemi folur për ata që kapen fort pas prushit, dhe të tillët janë myslimanët që mbahen fort pas fesë së tyre në një kohë kur e keqja është përhapur, kur mëkatet janë bërë të zakonshme dhe kur ka shumë sprova dhe përçarje. Ata që kapen fort pas prushit janë ata që ecin në rrugën e shokëve të Profetit edhe pas një mijë e katërqind vjetësh ose më shumë nga koha e tyre. Shpërblimi i atyre që kapin fort pas prushit nuk është si shpërblimi i një shoku të vetëm të Profetit, por ata marrin shpërblimin e pesëdhjetë shokëve.

Në kontrast me këtë grup të mrekullueshëm të myslimanëve, ekziston një tjetër grup myslimanësh që vuan nga një problem, i cili në të vërtetë është serioz, dhe ky është problemi i zhgënjimit nga mundësia për të imituar brezin e shokëve të Profetit, ose për t’i marrë ata si një shembull praktik që mund të ndiqet. Disa mund të marrin shpërblimin si pesëdhjetë shokë, ndërsa të tjerë të zhgënjyer nuk dinë të imitojnë as një shok të vetëm të Profetit.

Dhe pse këta myslimanë besojnë se është e pamundur të veprojmë siç vepruan shokët, të mendojmë siç mendonin ata, ose të adhurojmë Allahun e Madhëruar. ashtu si ata e adhuronin?

Pse ekziston kjo ndjesi tek disa myslimanë?

Ka katër arsye që i kemi përmendur më parë, të cilat janë:

1 – Besimi se prania e Profetit të Allahut (a.s) është e domosdoshme për të arritur këtë nivel të lartë si tek shokët e tij. Ne përmendëm se prania e Profetit (a.s) ishte shumë e rëndësishme, por nuk është e domosdoshme për të zbatuar ligjet e fesë, përndryshe Allahu nuk do t’u kishte dhënë të njëjtat detyrime pasardhësve siç i dha shokëve.

2 – Nxjerrja e shokëve të Profetit jashtë rrethit të njerëzimit, dhe të flasësh për ta me një dozë tejet ekzagjerimi që e bën të pamundur aplikimin e shembullit të tyre.

3 – Besimi se të gjithë shokët e Profetit kanë shkëlqyer në të gjitha fushat njësoj, duke harruar se çdo shok kishte përparësi vetëm në një fushë, dhe në një fushë tjetër mund të kishte dikush tjetër që ishte më i mirë. Nuk mund të kesh shpenzime si ato të Ebu Bekrit, menaxhim si ai i Umerit, xhihad si i Halidit, dije si ajo e Aishes, jurisprudencë si e Abdullah ibn Abasit, modestinë e Othmanit, dhe drejtësinë e Aliut; është e pamundur. Njerëzit që shohin gjithë brezin si njësi të vetme, u vështirësohet të imitojnë të gjithë brezin; ata imitojnë vetëm atë që ndjejnë se aftësitë, kapacitetet dhe talentet e tyre përshtaten me fushën ku kanë përparësi.

4 – Disa dijetarë qëllimisht injorojnë gabimet e sahabëve, të cilat rrjedhin nga natyra e tyre njerëzore, dhe njerëzit në përgjithësi bëjnë gabime por kanë edhe sukses.

Dijetarët i kanë injoruar gabimet e sahabëve me qëllim të mirë, nga kujdesi për të lartësuar shokët e Profetit, por kjo mënyrë e edukimit çoi në besimin se shokët nuk gabojnë kurrë. Si rezultat, nëse një mysliman gabon sot, ai zhgënjehet duke menduar se nuk do të arrijë kurrë atë që arriti një shok i Profetit.

Këto janë katër arsye që kanë çuar në ndjesinë tek disa myslimanë, ose tek shumë myslimanë, se është shumë e vështirë të imitojnë shokët e Profetit.

Disa nuk kryejnë shumë vepra të mira; dhe nëse i përmend një shok të Profetit dhe veprimet e tij, ata justifikohen duke thënë se nuk janë shok i Profetit, nuk janë Abdullah ibn Amr apo Ebu Dherr. Të tjerët bëjnë mëkate; dhe nëse i përmend një shok të Profetit që mundi dëshirën dhe evitoi mëkatin, ata thonë: “Unë nuk jam shok i Profetit; ai ishte shok i Profetit, nuk jam unë Ebu Bekr, dhe as Umeri.”

E vërteta është se kjo është diçka serioze, që myslimanët të humbasin shembullin e tyre të mirë; është serioze kur myslimanët besojnë se këto shembuj janë teori, ose se t’i ndjekësh ato është një gjë imagjinare.

Fillimi yt dhe fillimi i shokut të Profetit

Këtu flasim për një arsye të pestë dhe shumë të rëndësishme që ka çuar në besimin e shumë myslimanëve se është e pamundur të imitojnë shokët e Profetit. Besoj se pas trajtimit të kësaj arsye, shumë prej nesh do të kenë shpresë se mund të arrijnë atë që arritën shokët e Profetit, inshallah.

Kjo arsye është se shumë myslimanë e marrin rrëfimin për shokun e Profetit nga gjysma e tij. Ata fillojnë të studiojnë jetën e shokut që nga momenti i Islamit të tij, duke injoruar plotësisht periudhën që shoku i Profetit ka jetuar para se të bëhej sahab. Ata harrojnë se si ishte ai para se të arrinte atë që arriti më vonë.

Nëse studiojmë jetën e shokut të Profetit si një njësi të tërë, duke e parë në periudhën e tij para Islamit, pastaj në Islam; duke lexuar për sjelljet e tij para udhëzimit të tij nga Allahu dhe sjelljet pas udhëzimit; duke njohur qëllimet dhe aspiratat e tij para se Allahu t’i jepte këtë fe, dhe duke i krahasuar ato me qëllimet dhe aspiratat pas se i bëri mysliman, nëse e bëjmë këtë, inshallah do të kuptojmë se arritja e asaj që arritën shokët e Profetit nuk është e pamundur, sepse shumë shokë filluan me fillime shumë më të vështira se fillimet tona.

Ti gjatë gjithë jetës tënde nuk ke adhuruar një idhull ose nuk ke adhuruar një pemë. Jo të gjithë myslimanët ishin të varur nga alkooli para udhëzimit të Allahut; shumë myslimanë nuk kaluan vite të tëra duke u torturuar dhe duke u vrarë.

Ti nuk je nga një fis që ka një armiqësi të gjatë dhe të fortë me fisin e Profetit (a.s), që të pengon të besosh.

Shumë prej nesh kanë fillime që janë në fakt më të mira se fillimet e shokëve të Profetit. Nëse shokët që filluan nga fillime kaq të vështira arritën këtë nivel, është e natyrshme që ai që fillon nga një nivel më i mirë mund të arrijë atë që ata arritën, me kusht që të ecë në të njëjtën rrugë.

Islami formon njeriun

Shumë thjesht, ajo që i ndryshoi shokët e Profetit (a.s) dhe i ngriti nga adhurues të gurëve në udhëheqës të njerëzve, nga njerëz të dobët në njerëz të nderuar dhe të shquar, nga një komunitet që nuk konsiderohej aspak, ku burrat dhe gratë nuk vlerësoheshin, në një komunitet që sundonte tokat dhe njerëzit dhe ndërtoi një qytetërim që historia nuk e ka parë kurrë më parë – kjo nuk ndodhi brenda tridhjetë, dyzet apo pesëdhjetë vitesh, por brenda disa viteve të pakta.

Ky është Islami, kjo është feja që i ndryshoi ata. Libri i Zotit tonë, Allahut të Lartësuar, dhe pasimi i Profetit (a.s) i ngriti ata me këtë fjalë të përjetshme: “La ilahe il lallah Muhamed resulullah”. Për këtë arsye Profeti (a.s)në Mekkë u thoshte njerëzve shumë herë: “Thoni ‘La ilaha il -lallah dhe do të shpëtoni; thoni ‘La ilaha il-lallah’ dhe do të zotëroni arabët dhe të huajt.” Dhe Profeti (a.s) foli me të drejtë: kush thotë këtë fjalë me sinqeritet, zotëron arabët dhe të huajt.

Abdullah ibn Amr ibn el-As (r.a.) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse shtatë qiejt dhe shtatë toka do të vendoseshin në një peshore dhe ‘La ilaha il-lallah’ në tjetrën, do të mposhtej gjithçka me peshën e saj.”[1]

Kjo është një fjalë shumë e rëndë dhe e fuqishme. Kurani është një libër i mrekullueshëm, një libër i mrekullueshëm që nuk mbarojnë mrekullitë e tij dhe nuk shterrojnë të çuditshmet e tij “Thuaj: Nëse të gjithë njerëzit dhe xhindët do të bashkoheshin për të sjellë diçka të ngjashme me këtë Kur’an, nuk mund të sjellin diçka të ngjashme, edhe pse ndihmojnë njëri-tjetrin.”[2]

Mendoje veten duke mbajtur një libër që askush në tokë, pavarësisht njohurive, aftësive, arteve, dijes, tokave dhe kohërave të tyre, nuk mund ta imitojë. Ky libër është i mrekullueshëm dhe mrekullia e tij është e shumanshme: mrekulli gjuhësore, mrekulli stilistike, mrekulli shkencore, mrekulli historike, mrekulli ligjore, mrekulli parashikuese që të tregon çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë deri në Ditën e Gjykimit, sipas dijes së Allahut të Plotfuqishëm.

Ka shumë lloje të mrekullive, por mrekullia më e madhe e Kuranit dhe e Islamit është formimi i njeriut. Sa e ndryshëm është njeriu para dhe pas Islamit! Është sikur të vjen një njeri krejt i ri. Zhduket poshtërimi, zhduket negativiteti, zhduket egoizmi, zhduket ashpërsia, zhduket pamundësia e qëllimeve dhe mëkateve të vogla; shfaqet një karakter i ri, ai tashmë quhet njeri. Njeriu bëhet njeri pas Islamit; përpara Islamit, njeriu ishte i privuar nga gjëja më e rëndësishme që e dallon si njeri: arsyeja.

Zoti ynë, Allahu i Lartësuar, përshkruan ata që nuk besojnë, ata që nuk njohin fjalën e unitetit dhe nuk drejtojnë jetën e tyre për Allahun, duke thënë: “Ne kemi lënë për Xhehennem shumë nga xhindët dhe njerëzit; ata kanë zemra që nuk kuptojnë, sy që nuk shohin dhe veshë që nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje më të humbur; ata janë të pavetëdijshëm.”[3]

Çdo njeri që nuk njeh Allahun, nuk merret me ligjin e Tij, me fenë ose Islamin, nuk meriton titullin “njeri”, sado i bukur të jetë në pamje, sado e shtrenjtë të jetë rroba e tij, sado i pasur të jetë ose i fuqishëm, sado të lëvizë, hajë apo flasë si njeri, ka humbur bekimin më të madh të njeriut, arsyen që e bën njeri.

Para Islamit, njeriu është si i vdekur, edhe pse duket që ngrihet, ulet, ecën, lëviz, ha dhe pi, por është i vdekur: i vdekur nga zemra, i vdekur nga ndjenja, i vdekur nga emocioni, i vdekur nga arsyetimi, i vdekur nga qëllimi, i vdekur nga objektivi, ai është i ngurtë dhe i pavlerë.

Por pas përkushtimit ndaj Islamit, jeta futet në të, njeriu lind përsëri, rilind dhe bëhet njeri. Drita e Islamit ndriçon botën e tij; pas viteve dhe viteve të errësirës, Allahu e përshkruan këtë gjendje në Kuran:
“A është i njëjtë ai që ishte i vdekur dhe Ne e ringjallëm dhe i bëmë një dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me ai që është në errësira të thella dhe nuk ka rrugëdalje prej tyre? Kështu u zbukurua për mohuesit ajo që bëjnë.”[4]

Si kalon njeriu nga jo-njerëzimi në njerëzi?

Është një mënyrë madhështore që Allahu i Lartësuar e ka zgjedhur për robërit e Tij, nëse duan të dalin nga errësirat e injorancës në dritën e Islamit.

Hapi i parë: Ai që dëshiron të hyjë në këtë fe, gjëja e parë që bën është të lahet, të marrë gusul. Nuk është fjala vetëm për pastrimin nga papastërtitë e jashtme të trupit, por larja ka një kuptim shumë të bukur: uji që bie mbi kokën e njeriut dhe mbulon gjithë trupin e pastron atë nga gjurmët e mosbesimit dhe të shthurjes. Ky është një fillim i ri. Duhet të hysh në këtë fillim të ri me zemër të pastër dhe trup të pastër.

Hapi i dytë: Pasi të pastrosh veten nga veset dhe trupin nga papastërtitë, të dukshmet dhe të padukshmet, vesh rroba të pastra. Edhe ky është një fillim i ri.

Hapi i tretë: Pastaj njeriu thotë me gjuhën, zemrën, gjymtyrët dhe çdo grimcë të qenies së tij: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi (a.s) është i Dërguari i Allahut.” Kjo është një fjalë e rëndë. Me këtë ai bëhet mysliman, lind nga e para, ringjallet nga e para. Tani, pas kësaj fjale, ai bëhet njeri.

Hapi i katërt: Pas gjithë kësaj, duhet të takosh Atë të cilit ia dorëzove veten, Allahun, Zotin e botëve. Shumë thjesht, fal dy rekate dhe thuaj: “O Zot, jam kthyer tek Ti pas viteve të largimit; po afrohem tek Ti pas një kohe të gjatë largësie.”

Dhe do të lexosh Kuranin, mirësia më e madhe që e bën njeriun njeri. Pa Kuran nuk ka njerëzi. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar e përmendi dhuntinë e Kuranit para krijimit të njeriut, duke thënë: “(Allahu) Mëshiruesi ia mësoi Kuranin”[5], pastaj tha: “e krijoi njeriun.”[6]

Pra, nuk ka njeri të vërtetë pa Kuranin.

A është ky formimi i njeriut në Islam? Ky është Islami.

Një pyetje që jua shtroj: A e kemi pranuar ne Islamin e vërtetë?

E di që të gjithë kemi emra myslimanë dhe të gjithë kemi lindur si myslimanë. Por a nuk dëshiron të fillosh një fillim si ai i shokut të Profetit: që u la, pastroi rrobat, tha: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut Muhammedi është i Dërguari i Allahut”, fali dy rekate dhe pastaj e dorëzoi veten plotësisht tek Allahu i Madhëruar?

Çfarë do të thotë Islam? Pse quhet “Islam”? Kujt i dorëzohet? A nuk është Islami që t’i dorëzohesh Allahut, Zotit të botëve?

Kuptimi i plotë i Islamit është që t’ia dorëzosh veten plotësisht Allahut: të mos mungosh aty ku Ai të ka urdhëruar dhe të mos gjendesh aty ku Ai të ka ndaluar; të qëndrosh brenda kufijve të Tij, të zbatosh urdhrat e Tij dhe të largohesh nga ndalesat e Tij. Ky është Islami.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Vërtet udhëzimi i Allahut është udhëzimi i vërtetë dhe jemi urdhëruar t’i dorëzohemi Zotit të botëve.”[7] Dhe thotë: “Po, kush ia dorëzon veten Allahut dhe është bamirës, ai ka shpërblimin tek Zoti i tij dhe nuk do të kenë frikë e as nuk do të pikëllohen.”[8]

Myslimani që e pranon Islamin siç duhet, nuk polemizon me urdhrat e Allahut. Allahu thotë: “Jo, pasha Zotin tënd, ata nuk besojnë derisa të të marrin ty gjykatës për çështjet e tyre, pastaj të mos ndiejnë asnjë ngushtim në vetvete për atë që ke vendosur dhe t’i nënshtrohen plotësisht.”[9]

Kuptimi i Islamit është që ta marrësh atë në tërësi, nga të gjitha anët, jo të marrësh një pjesë dhe të lësh pjesë të tjera; të mos vendosësh asgjë përpara urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nuk kemi zgjedhje për të përzgjedhur nga urdhrat e Allahut apo të të Dërguarit të Tij. “Allahu dhe i Dërguari i Tij, kur vendosin një çështje, besimtari dhe besimtarja nuk kanë zgjedhje në atë çështje. Kush i kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka humbur në një humbje të qartë.”[10]

Sa për atë që ia dorëzon jetën dëshirave të tij, apo pozitës së tij, apo gruas dhe fëmijëve, apo pasurisë së tij, ai nuk është myslimani që dëshiron Allahu i Madhëruar. Shumë njerëz bëjnë mëkate dhe kur u kujton, justifikohen se janë të dobët ose se janë “të detyruar” nga të tjerët.

Është mirë të jesh i sinqertë me veten: ti je rob i atij që të urdhëron, jo rob i vërtetë i Allahut. Kujto Ditën e Gjykimit: çdo shpirt është peng i asaj që ka fituar dhe çdo njeri do të merret në llogari i vetëm. Edhe ai që urdhëron, edhe ai që i bindet do të gjykohen veçmas. Nuk do të kesh justifikim, o vëlla, nëse nuk i je dorëzuar Allahut me një Islam të vërtetë si ai i shokëve të Profetit.

Kjo është ajo që i ndryshoi shokët e Profetit. Fillimet e tyre ishin të vështira, madje shumë më të vështira se fillimet e shumicës prej nesh, por ata e kuptuan fenë ashtu siç duhet të kuptohet, dhe kështu u bënë ashtu siç i njohim.

Le të shohim disa shembuj nga shokët e Profetit: si ishin para Islamit dhe si u bënë pasi ia dorëzuan veten Allahut të Lartësuar.

Omer ibn Hatabi para dhe pas Islamit

Omer ibn Hatabi (r.a) ka qenë një nga personalitetet më të shkëlqyera në gjithë historinë e njerëzimit, një njeri tek i cili u mishëruan të gjitha kuptimet e përsosmërisë njerëzore. Dhe nuk është çudi për fjalën “përsosmëri”, sepse Profeti (a.s) ka thënë se shumë meshkuj kanë qenë të përkryer. Në një transmetim të Tirmidhit (hasen sahih) dhe në Musnedin e Imam Ahmed ibn Hanbelit, nga Ebu Musa el-Esh’ari, thuhet: “Shumë meshkuj kanë qenë të përkryer.” Kjo do të thotë se ai përmbushi virtytet që gjenden tek burrat: të gjitha virtytet që gjenden tek burrat: besimin, devotshmërinë, sinqeritetin, besueshmërinë, drejtësinë, fuqinë, përulësinë, asketizmin, inteligjencën, udhëheqjen..etj. Ai ishte një personalitet i plotë dhe i ekuilibruar, një personalitet i rrallë.

Nëse do të përdorim çdo mënyrë kërkimi dhe krahasimi, dhe të përpiqemi të gjejmë dikë të ngjashëm me të në një popull si Amerika, ose në tërë popujt e Europës, ose një popull si Kina, Japonia, ose Rusia – kë do të zgjedhësh – është e pamundur. Është e pamundur të gjesh një të dhjetën, një të njëqindën, apo një të njëmijtën pjesë të Omerit ibn Hatabit (r.a). Kërko në çdo popull rreth teje dhe nuk do ta gjesh. Kjo që po themi nuk është ekzagjerim; kjo është shumë më pak se realiteti i vërtetë.

Pra, Omer ibn Hatabi (r.a), nëse do të peshohej me tërë Umetin Islam – jo me Amerikën, Rusinë, apo Kinën – nëse do të peshohej vetëm me Umetin Islame, ai do të kishte peshë më të madhe. Nëse Profeti (a.s) dhe Ebu Bakri nuk do të ishin aty, nëse Omer Hatabi do të vendosej në një anë të peshores dhe i gjithë Umeti në tjetrën – duke përfshirë Othmanin, Aliun, Talhën, Zubejrinn, Hamzain, Halidin, Sa’din, dhe të gjithë sahabët, të gjithë muhaxhirët dhe ensarët, dhe ata që erdhën pas tyre si Buhariu, Muslimi, Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu, Ahmedi, si dhe dijetarët e mjekësisë, inxhinierisë, astronomisë, kimisë, përfshirë luftëtarët, dijetarët, predikuesit, të drejtët dhe gjithë ummetin – Omeri (r.a) peshon më shumë se të gjithë këta. Ky nuk është thjesht mendimi im; kjo është fjala e Profetit (a.s) e transmetuar në shumë hadithe. Në musnesin e imam Ahmedit transemtohet në një hadith të gjatë nga Ebu Umame (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “U soll Omeri dhe u vendos në një peshore, dhe u soll gjithë umeti im në tjetrën, dhe ata u vendosën, dhe Omeri peshoi më rëndë.”

Ne po flasim për një njeri legjendë, një personalitet jashtëzakonisht i rrallë. Por kush ishte Omeri ibn Hatabi para Islamit? Cili është historia e këtij personaliteti të rrallë në historinë e Tokës? Dhe si filloi ky kolos? A ishte fillimi i tij si i yti dhe i imi, apo më i vështirë?

Omer ibn Hatabi qëndroi më shumë se gjysmën e jetës së tij duke adhuruar idhujt, duke kryer detyrat fetare për Hubelin. Omeri lindi 13 vite pas Vitit të Elefantit, pra ishte 13 vite më i ri se Profeti (a.s). Ai ishte 27 vjeç kur filloi zbitja e shpalljes hyjnore, dhe u bë musliman pasi kaluan gjashtë vite nga zbritja e tij, kështu që sipas transmetimeve më të sakta ishte 33 vjeç kur pranoi Islamin, ndonëse disa transmetime thonë se ishte 26 vjeç. Ai vdiq në moshën 63 vjeç, kështu që kaloi 33 vite si jobesimtar dhe 30 vite si besimtar. Nga vitet e tij të mosbesimit, gjashtë vite jetoi në të njëjtin qytet me Profetin (a.s), në një qytet të vogël, në “Mekë”. Ai ishte i vendosur në mosbesimin e tij, duke mohuar Zotin, një të vetëm, duke u përkushtuar në adhurimin ndaj idhujve. Po, ky ishte Omeri para se të thoshte: “La ilahe il-lallah”: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Omeri nuk ishte një jobesimtar i zakonshëm; ai ishte një nga më të ashpërit ndër jobesimtarët. Ai torturonte një shërbëtore të fisit Beni Muemel, një degë e fisit të tij, Beni Adij. Ai e torturonte shërbëtoren nga mëngjesi deri në mbrëmje, dhe më pas e linte gjatë natës, jo nga mëshira, por thoshte: “Pasha Allahun, nuk po të lë përveçse jam lodhur duke të torturuar”

Kjo ishte logjika e Omerit që pranoi të bënte sexhde për një idhull, t’i kërkonte, lutej, të frikësohej dhe të varej prej tij. Por pas Islamit logjika e tij ndryshoi, ai njohu Allahun, të Cilin shumë prej njerëzve idhujtarë nuk e njihnin, dhe kjo ishte logjika që drejtoi një shtet të madh dhe të fuqishëm, që thyente forcën e Persëve dhe Romakëve dhe të zotëronte Lindjen dhe Perëndimin.

Çfarë ndryshoi në mendjen e Omerit? Ishte dëshmia “La ilahe il-lallah, Muhammedun Resulullah”, që formoi një njeri të ri.

Zemra e Omerit, ishte ajo që dikur pranoi të rrahë me shkop një grua të pafuqishme, për shkak se ajo besoi vetëm te Allahu, ai e urrejti atë për shkak të besimit të saj. Mirëpo e njëjta zemër, ajo e Omerit, pas pranimit të Islamit, u bë kaq e butë dhe e kujdesshme. Ai kishte frikë përtej normales për çdo musliman që jetonte në sipërfaqen e rruzullit tokësor, e njihte ose nuk e njihte atë. Ai i thoshte komandantëve të ushtrisë së tij: “Mos e fusni ushtrinë në zabel, sepse një njeri musliman është më i çmuar për mua se njëqind mijë dinarë.”

Ai i thoshte këto fjalë me sinqeritet. Omer ibn Hatabi, i kujdesshëm për këtë shtet të madh dhe të fuqishëm, ishte i njëjti njeri që dikur torturonte shërbëtoren që besoi te Profeti (a.s) dhe besoi vetëm te Allahu, vetëm pak vite para se të bëhej musliman.

Pra, pika jonë e nisjes pa dyshim është më e mirë se pika e nisjes së Omerit (r.a). Ne nuk i kemi adhuruar idhujt gjysmën e jetës tonë, dhe nuk kemi rrahus asnjë besimtar me shkok për shkak të besimit të tij.

Para Islamit, Omeri ishte aq i vendosur sa donte të ndalonte edhe motrën e tij nga Islami. Ju e dini historinë e pranimit të tij të Islamit. Pas Islamit, Omeri u bë aq i përkushtuar për të futur të gjithë njerëzit në këtë fe, saqë ishte i gatshëm të humbiste jetën, pasurinë, pozitën dhe gjithçka që kishte për këtë qëllim. Ai Omer që dikur donte të vriste Profetin (a.s) – madje shkoi për ta vrarë – është i njëjti që refuzoi të vriste Ebu Lu’lu, skllavin mexhus që jetonte në Medinë. Ebu Lu’lu kërcënoi se do ta vriste Omerin, por Omeri, si Princ i Besimtarëve që ishte, refuzoi ta vriste ose ta burgoste, pasi nuk kishte prova të forta kundër tij dhe nuk donte t’i bënte padrejtësi. Dhe cili ishte rezultari që Ebu Lu’lu e vrau Omerin. Kjo është një drejtësi e jashtëzakonshme, e pabesueshme për njerëzit, kjo është përsosmëria njerëzore që Profeti (a.s) përmendi në hadith.

Omeri, që dikur e urrente Profetin (a.s) aq shumë saqë asgjë nuk mund ta pengonte atë që ta vriste atë, edhe pse Profeti ishte nga Benu Hashimitë, një fis fisnik dhe i madh, dhe kjo mund të shkaktonte probleme të mëdha në Mekë, mirëpo ai ishte i vendosur për shkak të urrejtjes së tij të thellë. Pas Islamit, Omeri e donte Profetin (a.s) më shumë se pasurinë e tij, më shumë se fëmijët e tij, më shumë se të gjithë njerëzit, madje më shumë se vetveten e tij. Ky është transformimi i Omerit pas Islamit. Ky ishte Omeri para Islamit.

Dallimi midis Omerit para dhe pas Islamit erdhi nga një moment i vetëm i sinqeritetit, kur ai lexoi fillimin e Sures Taha – vetëm tetë ajetet e para – dhe pastaj pranoi të vërtetën, Islamin. Ai u pastrua, la rrobat e tij, dëshmoi fjalën e vërtetë, falë dy rekate namaz, dhe u bë kolos, legjendë, u bë “El-Faruk”, ai që ndan të drejtën nga e gabuara.

Pra, kush e ka nisjen më të lehtë, ne apo Omeri?

Pa dyshim që fillimi ynë është më i lehtë. Ne nuk kemi tentuar të vrasim askënd, e jo më të provonim të vrisnim Profetin (a.s) Omeri lexoi vetëm tetë ajetet e para të Sures Taha, dhe pas kësaj u nis rrugëtimi tij. Ndërsa ne kemi të gjithë Librin përpara nesh, të gjithë kushtetutën e jetës. A është e mundur që të jemi si Omeri, një moment të vetëm të sinqeritetit që të ndryshojë tërë rrjedhën e jetës sonë?

Imagjino sikur Omer ibn Hatabi të kishte vdekur në moshën tridhjetë vjeç, pra para se të pranonte Islamin. Kush në këtë tokë do të kishte dëgjuar për të? Çfarë pavdekësie do të kishte arritur? Në çfarë lavdie do të kishte mbërritur? Dhe si do të ishte pozicioni i tij në Ditën e Gjykimit?

Shiko jetën e Omerit para Islamit dhe krahasoje me atë pas pranimit të Islamit, pas momentit të madh të sinqeritetit, pas fjalës “La ilahe il-lallah, Muhammedun Resulullah”, pas përuljes ndaj qëllimit të lartë, pas kuptimit të të vërtetës së robërisë ndaj Allahut, pas kuptimit të qëllimit të krijimit. Pas gjithë këtij ndryshimi, shiko Omerin, ai u bë i njohur në të gjithë botën, u bë frymëzim për këtë umet, dhe u bë i tmerrshëm për të gjithë armiqtë e Allahut, madje edhe kundra shejtanit. Ky ishte një transformim i jashtëzakonshëm që Omeri bëri kur vendosi që t’i bindet Allahut të Madhëruar.

Vendimi është në dorën tonë: ose të jetojmë në margjinën e jetës, pa qëllim dhe pa ambicie, ose të arrijmë nderin e kësaj bote dhe të Ahiretit, lavdinë e kësaj bote dhe të Ahiretit, dhe famën e kësaj bote dhe të Ahiretit. Në fund, vendimi është në dorën tonë.

Amr ibn el-Xhemuh, si ishte dhe në çfarë u shndërrua?

Kush kishte dëgjuar për Amr ibn el-Xhemuh para Islamit? Askush nuk e njihte në Gadishullin Arabik. Mendësia e tij ishte e thjeshtë, madje shumë e kufizuar, deri në atë pikë sa për shumë vite ai i bënte sexhde një idhulli prej druri që e kishte bërë vetë me duart e tij. Ai i ka bërë sexhde këtij druri për më shumë se gjashtëdhjetë vjet! Gjashtëdhjetë vjet, ndërkohë që kockat i ishin dobësuar dhe thinjat i kishin mbuluar kokën. Në vend që të shtohej në urtësi, siç thuhet zakonisht, ai ishte plak në moshë, por pa mendje të drejtë, i përulur para një idhulli prej druri.

Mund të kishte vdekur në çdo moment dhe jeta e tij do të përfundonte si një jetë e kotë, pa asnjë vlerë në peshoren e njerëzve, në peshoren e historisë dhe as në peshoren e Allahut. Por Allahu deshi ta udhëzojë, dhe ai përqafoi besimin pas të gjashtëdhjetave. Në jetën e tij ndodhi një ndryshim i madh ose më saktë mori një qasje tjetër madhështore. Natyrshmëria e tij u përmirësua, mendja e tij e errët u ndriçua dhe ambiciet e tij të kota u bënë të mëdha.

Si mendonte Amr ibn el-Xhemuh pas Islamit?

Ai ishte çalaman, prandaj ishte i justifikuar për të mos marrë pjesë në luftë. Megjithatë, kur muslimanët u përgatitën për betejën e Uhudit, ai këmbënguli të dilte me ta. Bijtë e tij u përpoqën ta ndalonin, por ai shkoi të ankohej te Profeti (a.s) Ai kishte një justifikim të qartë sipas Kuranit: “Nuk ka përgjegjësi për të verbrit, as për të çalët, as për të sëmurët”[11] Por ai i tha Profetit (a.s): “O i Dërguari i Allahut, bijtë e mi duan të më ndalojnë nga kjo mirësi, duke u justifikuar se jam i çalë. Por, pasha Allahun, unë shpresoj që me këtë çalim timin të shkel në Xhenet.”

Shikoni synimet e larta dhe ambiciet fisnike! Profeti (a.s) u tha bijve të tij: “Lëreni, ndoshta Allahu do t’i japë atij shehidllëkun.”

Kjo ishte dëshira e Amr ibn el-Xhemuh – të vdiste në rrugën e Allahut – dhe ishte edhe ajo që Profeti (a.s) i uroi atij. Amri ngriti duart drejt qiellit dhe tha: “O Allah, më jep shehidllëkun dhe mos më kthe te familja ime i zhgënjyer.”

Pra, qëllimi, dëshira dhe suksesi për të ishte të vdiste si dëshmor në rrugën e Allahut.

Çfarë ndryshimi ndodhi në mendjen, zemrën dhe gjymtyrët e Amr ibn el-Xhemuhut? Si ndodhi ky transformim i madh?

Ai kaloi më shumë se gjashtëdhjetë vite në mosbesim, ndërsa në Islam qëndroi vetëm tre apo katër vite, por me besimin dhe gjykimin e tij të mprehtë ai arriti në këtë shkallë të lartë.

Islami e formoi Amr ibn el-Xhemuhun, duke e bërë një njeri të vërtetë, pasi ai njohu rrugën e Allahut. Ai filloi të jetonte një jetë madhështore, jetën e njeriut ashtu siç e dëshiron Allahu: “Unë do të vendos në tokë një mëkëmbës (khalife)”[12]

Pra, mëkëmbësi i Allahut në tokë nuk është ai që jeton në mosbesim, idhujtari, lojë, mëkate dhe kotësi, por ai që jeton një jetë serioze dhe me qëllim, jetën e vërtetë njerëzore.

Dhe kjo ishte ajo që arriti Amr ibn el-Xhemuh: ai vdiq si dëshmor në betejën e Uhudit. Çalimi nuk e pengoi të bënte atë që shumë njerëz të shëndoshë nuk arritën ta bëjnë.

Pra, kush e ka fillimin më të lehtë, ne apo Amr ibn el-Xhemuh?

Kush prej nesh ka kaluar gjashtëdhjetë vite në ide të gabuara dhe nuk mund t’i ndryshojë? Kush prej nesh ka bërë sexhde për një copë druri për gjashtëdhjetë vite? Kush prej nesh është çalon dhe megjithatë dëshiron të marrë pjesë në luftë, dhe të bie shehid?

Pa dyshim që fillimi ynë është më i lehtë. Por ne kemi nevojë për një moment sinqeriteti. Kemi nevojë ta pranojmë Islamin në kuptimin që dëshiron Allahu, jo sipas dëshirave dhe pasioneve tona. Të bëjmë siç Ibrahimi (a.s): “Kur Zoti i tij i tha: “Dorëzohu”, ai tha: “Jam dorëzuar Zotit të botëve”[13]

Dorëzim i plotë: e gjithë jeta jote për Allahun, Zotin e botëve. Ky është muslimani, dhe kjo është ajo që i ngriti sahabët në atë nivel.

Mus’ab ibn Umejri: midis djaloshit të përkëdhelur dhe të riut dëshmor

Para se të pranonte Islamin, Mus’ab ibn Umejri ishte një djalë i pasur dhe i përkëdhelur. Me gjuhën e sotme, ai ishte i llastuar. Nëna e tij ishte nga njerëzit e pasur dhe i siguronte të gjitha kënaqësitë e jetës nga Meka dhe jashtë saj. Ai ishte mësuar me luksin e importuar: rrobat nga Jemeni, parfumet nga Shami. Nuk kishte asnjë shqetësim në jetë përveç kërkimit të kënaqësive materiale. Nuk merrej me atë që ndodhte rreth tij në botë; nuk kishte interes për fenë, dijen, politikën apo luftën. Nuk merrej me problemet e njerëzve apo të popujve. Jetonte një jetë krejtësisht boshe.

Dhe ka shumë të rinj si ai: nuk kanë asnjë interes përveç veshjes së tyre, makinës, klubit ku janë anëtarë, telefonit, çfarë lloji është, çfarë zileje ka, a ka kamera, a ka ngjyra, ndërkohë që bota ndryshon rreth tyre dhe ata nuk e vërejnë. Janë të zënë ditë e natë me një këngë, një film, një ndeshje, një model flokësh, shoqëri, mbrëmje, cigare, revista… dhe mendojnë se janë të lumtur me këto gjëra.

Mus’ab ibn Umejri jetonte pikërisht këtë jetë, por ai iu dorëzua Allahut. Ai e pranoi Islamin me kuptimin e vërtetë që përmendëm. Dhe menjëherë ndodhi një transformim i jashtëzakonshëm në qenien dhe formimin e tij. Papritur, i riu i përkëdhelur dhe i shfrenuar u kthye në një të ri të fortë, të qëndrueshëm, kolos në besim: devotshmëri, asketizëm, dije, forcë, sakrificë dhe trimëri.

Ai u privua nga të gjitha kënaqësitë e kësaj bote dhe nga jeta që kishte më parë, por Mus’abi e shijoi kuptimin e lumturisë së vërtetë. Ai kuptoi se lumturia nuk është në veshje, ushqim apo parfum, por në ndjenjën se ke vlerë, qëllim dhe mision. Lumturia e vërtetë është të njohësh Allahun dhe të dish si ta adhurosh Atë. Lumturia e vërtetë është të luftosh në rrugën e Allahut, të emigrosh për hir të Tij dhe të sakrifikosh për Të.

Standartet e lumturisë ndryshuan plotësisht në jetën e Mus’abit. Ai emigroi një herë e pastaj përsëri në Abisini, pastaj shkoi në Medinë dhe ia mësoi njerëzve Islamin. Lumturia e tij më e madhe u bë të shihte një njeri që kalon nga errësira e mosbesimit në dritën e besimit, edhe nëse nuk e njihte fare atë njeri.

Ai nuk u mjaftua vetëm me emigrimin apo me mësimin e njerëzve në Medinë, as me faktin që u bë shkak i drejtpërdrejtë për pranimin e Islamit nga një qytet i tërë që u bë kryeqytet i Islamit. Ai nuk u mjaftua me këtë. Ai donte të shijonte çdo lloj lumturie në Islam: shijoi ëmbëlsinë e besimit, të vëllazërisë, të emigrimit, të thirrjes në fe, dhe dëshironte të shijonte edhe ëmbëlsinë e luftës në rrugën e Allahut.

Kjo është një ëmbëlsi që e njeh vetëm ai që e provon. Ajo ka vështirësi dhe sakrifica, por ka një kënaqësi që nuk krahasohet me asnjë kënaqësi të veshjes, ushqimit apo çdo kënaqësie tjetër të kësaj bote.

Mus’abi doli në rrugën e Allahut, mori pjesë në betejën e Bedrit dhe në betejën e Uhudit. Shikoni këtë të ri që dikur jetonte në margjinat e historisë para Islamit, shikojeni në Uhud duke mbajtur flamurin e muslimanëve. Ai luftoi me guxim, me sinqeritet dhe qëndrueshmëri të rrallë. Dora e tij e djathtë u pre, ai e mori flamurin me të majtën; edhe ajo iu pre, dhe ai ra në tokë, por e mbajti flamurin me krahët e tij, nuk lejoi që ai të binte.

Flamuri i Islamit nuk mund të binte përderisa Mus’abi ishte gjallë. Islami u bë çështja e tij, qëllimi dhe ambicia e tij. Deri në rrahjen e fundit të zemrës, ai ishte në rrugën e Allahut. Nga toka e Uhudit drejt e në Xhenet, ai ra dëshmor dhe shkoi drejt lumturisë së vërtetë.

Kjo botë me gjithë kënaqësitë e saj nuk vlen as sa një çast në Xhenet, e lëre më një jetë të përjetshme pa vdekje.

Çfarë mendoni për jetën e Mus’ab ibn Umejrit? A duam të jetojmë jetën e tij para Islamit – me luks, kënaqësi dhe boshllëk – apo jetën e tij pas Islamit, me thirrje, sakrificë dhe përkushtim në rrugën e Allahut?

Mus’abi është i njëjti person, por pas Islami ai ndryshoi. Libri dhe Suneti janë para nesh, dhe zgjedhja është në duart tona.

Fisi Gifar

Shembujt e mëparshëm ishin për individë që besimi ia preku zemrat dhe ndryshuan. Ndërsa kjo histori e çuditshme është historia e një fisi të tërë, të cilit besimi i preku zemrat e anëtarëve të tij dhe ndodhi një transformim i madh në jetën e tyre.

Ky fis ishte i njohur për vjedhje dhe grabitje në rrugë, një grup hajdutësh, ndër njerëzit më të largët nga rruga e udhëzimit dhe drejtësisë. Ai ishtë fisi Gifar, fisi nga i cili vjen sahabiu i nderuar Ebu Dherr el-Gifari (r.a). Ebu Dherri ishte nga të parët që pranuan Islamin dhe u kthye te fisi i tij për t’i thirrur në Islam: t’i ftonte të linin adhurimin e idhujve dhe të adhuronin një Zot të vetëm, dhe t’i ftonte të ndryshonin plotësisht mënyrën e jetesës së tyre.

Kjo nuk ishte e lehtë. Në vend që të grabisnin njerëzit, ai i ftonte që misioni i tyre të ishte të ruanin fenë, pasurinë dhe jetën e njerëzve. Në vend që t’u merrnin pasuritë, i ftonte që të japin zekat dhe sadaka. Në vend që të sundonin zemrat e njerëzve me forcë, padrejtësi dhe dhunë, i ftonte t’i fitojnë zemrat me butësi, thirrje, durim dhe dashuri. Këto kuptime nuk kishin kaluar kurrë më parë në mendjen e fisit Gifar.

Kjo ishte një detyrë shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme për jetën e Ebu Dherrit. Ai shkoi të ndryshojë rrugën e një fisi të tërë, një fis i mësuar me vjedhje dhe grabitje. Mendoni edhe për vetë fisin Gifar: si mundet një grup hajdutësh, të mësuar me të keqen gjatë gjithë jetës, të ndryshojnë krejtësisht dhe të kalojnë në një jetë të pastër, të bukur dhe të lumtur me lumturinë e Islamit, jo vetëm të kësaj bote?

Pa dyshim që fillimi i fisit Gifar ishte më i vështirë se i yni. Asnjëri prej nesh nuk ka një fillim kaq të vështirë si ata.

E mendoni si i thirri Ebu Dherri këta njerëz? Ai nuk u pengua nga historia e tyre. Zemrat janë në dorën e Allahut, i Cili i kthen kë të dojë. Dhe fisi Gifar, një fis i tërë pranoi Islamin. Hajdutët dhe grabitësit e rrugëve u bënë besimtarë dhe kaluan nga një gjendje në tjetrën: nga grabitës në sahabë!

Në një moment ishin grabitës, dhe në momentin tjetër u bënë nga brezi më i mirë i njerëzimit, si të kalosh nga toka në qiell, me një ndryshim që ndodh në një çast të vetëm, në një moment sinqeriteti.

Sa prej nesh kanë një fillim më të keq se fisi Gifar? Ndoshta shumë pak. Edhe nëse dikush ka kaluar jetën në vjedhje, mashtrim apo krim, ai mund të fillojë si fisi Gifar: mjafton të vendosë të pendohet, të ndiejë keqardhje për të kaluarën dhe të vendosë të mos kthehet më në mëkat. Kjo mjafton që faqja e tij të bëhet e pastër dhe e bardhë.

Shikoni edhe komentin e bukur të Profetit (a.s) për Islamin e fisit Gifar. Ai tha: “Gifarit Allahu ua ka falur.” E gjithë e kaluara u fshi. A duam jetën e Gifarit para Islamit apo pas Islamit?

Allahu është i drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt, qoftë edhe sa një grimcë. Ai i dha njeriut mendje për të dalluar të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara; i shpalli një ligj të lehtë, të qartë dhe të bukur; dhe i dha një natyrë të pastër që pranon të mirën dhe urren të keqen. Pastaj i dha edhe mundësinë e zgjedhjes: “Dhe Ne ia treguam dy rrugët”[14] , rrugën e udhëzimit dhe rrugën e humbjes.

Çdo gjë është e qartë. Allahu thotë: “Kush dëshiron këtë botë të shpejtë…” – kënaqësinë e menjëhershme, dëshirën, edhe nëse është haram – “Ne i japim prej saj çfarë duam dhe kujt duam”[15]

Kush dëshiron këtë botë, do ta marrë atë. Por çfarë ndodh në botën tjetër? “Pastaj i caktojmë atij Xhehenemin, ku do të hyjë i qortuar dhe i përzënë”[16]

Ndërsa për palën tjetër: “Kush dëshiron Ahiretin…”– dëshira nuk mjafton, duhet përpjekje –
“dhe përpiqet për të siç duhet, duke qenë besimtar, atyre përpjekja do t’u pranohet”[17]

Allahu thotë gjithashtu: “Të gjithëve u japim – këtyre dhe atyre – nga dhuntitë e Zotit tënd”[18]

Pra, kush do këtë botë do ta marrë, dhe kush do Ahiretin do ta marrë, nëse përpiqet për të.

Ajo që ka rëndësi është zgjedhja jote. Sahabët, në një moment sinqeriteti, zgjodhën me vërtetësi dhe ecën në rrugën e qartë, dhe arritën.

Edhe për ne vlen e njëjta gjë: nëse vendos sinqerisht të arrish, do të arrish. Allahu nuk bën padrejtësi. Fjalët e Tij janë të vërteta:“E kush është më i vërtetë në fjalë se Allahu?”[19] “E kush është më i vërtetë në fjalim se Allahu?”[20]

Pra, nëse punon për Ahiretin, do ta arrish me lejen e Allahut. A dëshiron këtë botë apo Ahiretin? Ji i sinqertë me veten.

Përfundimi: Sahabët nuk u krijuan si sahabë. Ata jetuan para Islamit jetë shumë larg fesë: disa adhuronin gurë e pemë, disa vidhnin, disa shtypnin të tjerët, disa pinin alkool, disa varrosnin vajzat e tyre të gjalla, disa torturonin besimtarët. Pastaj iu paraqit rruga e së mirës dhe e së keqes qartë, dhe në një moment sinqeriteti zgjodhën të mirën, dhe u bënë sahabë.

Ndërsa të tjerë, që jetonin me ta në të njëjtin vend dhe kohë, panë Profetin (a.s), por zgjodhën rrugën e së keqes dhe mbetën idhujtarë, hipokritë apo armiq.

Njeriu është ai që zgjedh. Madhështia e njeriut nuk është në kohën ku jeton, as në pasuri, pushtet apo prejardhje, por në madhërimin e fesë, në dashurinë për Allahun dhe në vlerën që i jep ligjit të Tij në jetën e vet. Ky është njeriu në Islam.

Lusim Allahun që të na tregojë të vërtetën si të vërtetë dhe të na japë mundësinë ta ndjekim, dhe të na tregojë të pavërtetën si të pavërtetë dhe të na japë mundësinë ta shmangim, dhe të na bashkojë me profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët. Ai është i Plotfuqishëm për këtë.

Autor: Ragib Serxhani

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Ahmedi.

[2] – Sure Isra: 88.

[3] – Sure A’raf: 179.

[4] – Sure En’am: 122.

[5] – Sure Rahman: 2.

[6] – Sure Rahman: 3.

[7] – Sure En’am: 71.

[8] – Sure Bekare: 112.

[9] – Sure Nisa: 65.

[10] – Sure Ahzab: 36.

[11] – Sure Fet’h: 17.

[12] – Sure Bekare: 30.

[13] – Sure Bekare: 131.

[14] – Sure Beled: 10.

[15] – Sure Isra: 18.

[16] – Sure Isra: 18.

[17] – Sure Isra: 19.

[18] – Sure Isra: 20.

[19] – Sure Nisa: 22.

[20] – Sure Nisa: 87.