Franca do të dislokojë një kontingjent të vogël ushtarak në Grenlandë për të marrë pjesë në një “stërvitje në kushte të ftohta” të përbashkët me Danimarkën dhe disa vende të tjera evropiane, njoftoi të mërkurën Ministria e Forcave të Armatosura të Francës, transmeton Anadolu.
Sipas ministrisë, misioni do të përfshijë njësi të luftimit malor, ndërsa detajet mbi numrin e trupave dhe mandatin e saktë të tyre pritet të bëhen të ditura gjatë fjalimit vjetor të presidentit Emmanuel Macron drejtuar forcave të armatosura, të enjten në bazën ajrore Istres në jug të Francës, raportoi Le Monde.
Më herët, Danimarka tha se do të forcojë praninë e saj ushtarake në Grenlandë “që nga sot, duke dislokuar kapacitete dhe njësi të lidhura me aktivitetet e stërvitjes”.
Edhe Suedia njoftoi se ka dërguar oficerë për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake në këtë territor.
Ndërkohë, Gjermania tha se do të dërgojë ushtarë në Grenlandë nga e enjtja deri të shtunën, si pjesë e një “misioni zbulimi” së bashku me partnerë të tjerë evropianë, për të mbështetur Danimarkën.
Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se Grenlanda duhet të jetë “në duart e SHBA-së” për të përballuar kërcënimet nga Rusia dhe Kina.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, u tha gazetarëve se “nuk arritëm ta ndryshojmë qëndrimin e SHBA-së” lidhur me Grenlandën.





